2013-09-13 15:38:49

Gjashtë muaj më parë, Horhe Mario Bergolio u bë Papa Françesku. Koment i atë Lombardit


Gjashtë muaj më parë, zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit, Papa aktual Françesku. Një kohë kaq intensive, sa të duket më e gjatë nga sa është në të vërtetë. Horhe Mario Bergolio vazhdon të marrë vendime të rëndësishme: së pari, zhvendosja e rezidencës, nga Pallati Apostolik në Shtëpinë e Shën Martës, ku çdo ditë, kremton meshën e mëngjesit me punonjësit e Vatikanit; pastaj, reforma e Kuries Romake e, në vazhdën e Benediktit XVI, transparenca financiare në veprimtarinë ekonomike të Vatikanit. Por, cilat janë risitë kryesore të kësaj papnie? Në mikrofonin tonë, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
Do të thosha se risia e parë është emri, i cili më bëri përshtypje që në fillim: Françesk, një emër sigurisht i ri, asnjë Papë nuk e kishte marrë më parë. E, bashkë me emrin, edhe shpjegimi i vetë Papës: “të varfërit, paqja, mbrojtja e Gjithësisë”. E tashmë e shohim se, së paku të varfërit dhe paqja, janë tipare themelore të kësaj papnie, me aktualitet të jashtëzakonshëm, siç qe këtyre javëve, impenjimi i guximshëm për paqen në Lindjen e Mesme. Një risi e dytë më duket fundi i eurocentrizmit në Kishë, sepse Papa është latinoamerikan. Në të vërtetë, kjo ndjehet pozitivisht, si zgjerim horizontesh: e përjetuam këtë sidomos gjatë Ditës Botërore të Rinisë, kur e pamë Papën në kontinentin e vet dhe mësuam se edhe stili i tij është baritor, mënyra për t’u lidhur me njerëzit drejtpërdrejt, gjuha e tij e thjeshtë… Edhe kujdesi për të varfërit e temat e tjera vijnë nga një kontekst kishtar shumë i pasur, me tradita të rëndësishme, që propozohen tani në zemër të Kishës, me më tepër forcë. Të gjithë papët kanë qenë “universalë”, sepse kanë pasur gjithë botën në zemër, prandaj nuk mendonin vetëm për një pjesë të saj. Por, unë mendoj se vihet re se zgjedhja e një Pape nga një kontinent tjetër, vërtet, sjell diçka të veçantë në stil, në perspektivë… Kisha universale e dëshironte këtë, kardinajtë e deshën e ne e vlerësojmë si pasurim të rrugës së Kishës. Pastaj, një karakteristikë e tretë, më duket se është ajo e misionit. Papa Françesku flet shumë për një Kishë, që nuk i referohet vetëm vetvetes, për një Kishë në mision, për një Kishë, që del nga vetvetja e përfshin gjithë botën. Më vjen ndërmend Letra e bukur e Gjon Palit II në fund të Jubileut 2000, “Duc in altum”(Dil në det të hapur), që i drejtohej Kishës së mijëvjeçarit të tretë. Më duket se, vërtet, me Papën Françesku, barka e Shën Pjetrit po udhëton në det të hapur, pa frikë, madje, me gëzimin e takimit me misterin e Zotit në horizonte të reja.
Papa po i shkund shumë të krishterë nga apatia, nganjëherë, me fjalë shumë të fuqishme e madje, po afron edhe ata, që i qëndrojnë larg Kishës…
Po… Mund të themi se stili, gjuha e drejtpërdrejtë e Papës, sjellja e tij, edhe mënyra e tij e jetesës të prekin thellë e zgjojnë interes dhe entuziazëm të madh. Por unë besoj e shpresoj që arsyeja themelore e këtij interesi të jetë më i thellë, të jetë fakti që Papa ngul këmbë fort në një Zot që na do, në një Zot të mëshirshëm, gjithnjë gati të na falë, nëse i drejtohemi me përvuajtëri. E me këtë, më duket se e prek thellë njeriun – burrat, gratë e kohës sonë – se ai e di sa shpesh u hapen plagë nga jeta e vështirë, nga sa e sa zhgënjime e padrejtësi, nga varfëria dhe mënjanimi i botës së sotme. Ja pse fjala e tij jep fryte, ja pse ky komunikim kaq i drejtpërdrejtë i dashurisë së Zotit për të gjithë, me fjalë e gjeste, me afërsi, me interesim njerëzor, me ëmbëlsi – një fjalë tjetër që i pëlqen Papës dhe që tregon si është ai – është diçka, që i prek dhe i shkund thellë të gjithë njerëzit: besimtarë e jo besimtarë. Sepse të gjithë njerëzit duhen nga Zoti, të gjithëve u drejtohet ky mesazh i madh i dashurisë së Zotit dhe i dashurisë së Krishtit.
Kjo papni po zgjon shpresa të mëdha, pritet shumë nga Papa. Ç’do të ndodhë në muajt e ardhshëm?
Eh… unë nuk jam profet… Dimë se gjatë muajve të ardhshëm, Papa do të merret me tema, që kanë të bëjnë me qeverisjen e Kishës, duke u këshilluar edhe me bashkëpunëtorët: si me bashkëpunëtorët e Kuries Romake, siç ka bërë ditët e kaluara, ashtu edhe me kardinajtë, e siç do të bëjë edhe në muajin tetor, me kardinajtë e zgjedhur prej tij nga anë të ndryshme të botës. Por, sinqerisht, nuk duhet të mbivlerësohet aspekti i të ashtuquajturave reforma strukturore. Rëndësi ka reforma e vazhdueshme në jetën e Kishës e Papa Françesku, me përshpirtërinë e tij, me sjelljen e tij të përvuajtur, dëshiron të na afrojë me Jezusin, të na bëjë Kishë, që ecim përpara me njerëzimin e sotëm, sidomos me ata, që kanë më tepër nevojë për dëshminë e dashurisë së Zotit. Prandaj, këtë duhet të presim nga Papa edhe në të ardhmen. Gjatë javëve të fundit u përqendrua në tematikën e paqes, foli për ata, që vuajnë nga tensione e luftra, por edhe për refugjatët, për afërsinë që u duhet treguar, për forma të ndryshme mënjanimi, si burgimi etj.. Ja pra: ta lëmë Zotin të na prijë. Papa nuk është ndonjë, që mendon se ka në dorë planifikimin organizativ të historisë. Papa është njeri, që dëgjon Shpirtin e Hyjit e mundohet ta ndjekë me urtësi, prandaj na çon në një udhë gjithnjë të re, e cila – jemi të bindur – është e bukur e plot shpresë.
Ç’mund të na thoni për bashkëjetesën në Vatikan ndërmjet Papës Françesku dhe Benediktit XVI?
Ah, shkon shumë mirë, përsosur! Duke filluar nga Papa Françesku, të gjithë jemi shumë të kënaqur nga prania e Papës së nderit në Vatikan, nga maturia e tij, nga përshpirtëria, lutja dhe vëmendja e tij. Pikërisht këtë na pati premtuar, kur u tërhoq: do të vazhdonte të ishte i pranishëm në udhën e Kishës, por me lutje, duke ofruar jetën e vet, afërsinë e vet shpirtërore. Njëkohësisht, dimë se Papa Françesku ka marrëdhënie presonale shumë të përzemërta me paraardhësin e vet… e ftoi në përurimin e një monumenti në Kopshtet e Vatikanit, shkoi për ta takuar para se të nisej për në Brazil e i kërkoi ta shoqërojë me lutje, me mbështetjen e tij morale, e takoi kur u kthye për t’i treguar përvojën e udhëtimit e për ta falenderuar për lutjet. Edhe unë e kam pasur një herë këtë gëzim, të qëndroj pranë Papës Benedikti e t’i shoh qetësinë, fenë, përshpirtërinë, gatishmërinë e tij të jashtëzakonshme, që e ka dëshmuar gjatë papnisë, por që vazhdon ta dëshmojë në një formë të re, më të tërhequr. Pavarësisht se nuk e shohim shpesh, e ndjejmë praninë e dashurisë së tij, të lutjes, të urtisë e të këshillave, që i jep pasardhësit të vet, sa herë ia kërkon.
Si ka ndryshuar puna e zëdhënësit të Papës në këto gjashtë muaj?
Eh… unë kam thënë gjithnjë se nuk jam aq zëdhënësi i Papës, sa drejtori i Sallës së Shtypit, e cila, përvuajtërisht, vë në dispozicion informacione, tekste e përgjigje për të kuptuar më mirë atë, që bën e thotë Papa. Sinqerisht, më duket se gjatë këtyre gjashtë muajve, Papa Françesku ka vepruar e folur në një mënyrë kaq intensive, saqë unë – fatmirësisht – kam mundur të qëndroj në hije, në krahasim me protagonistin, me zërin kryesor që duan të dëgjojnë besimtarët, pra, në krahasim me Papën. Puna vazhdon të jetë po ajo: të ndihmohet Papa për t’i shërbyer Popullit të Zotit, por në këtë kohë, fjala e Papës është shumë e qartë, konkrete, pritet mirë e gjestet e tij flasin vetë… Prandaj, mund të themi: duhet të punojmë shumë për ta ndjekur, por flet vetë për vetveten.







All the contents on this site are copyrighted ©.