2013-09-12 14:15:26

Publikohet kalendari i kremtimeve të kryesuara nga Papa, deri në nëntor


U bë i njohur sot, kalendari i kremtimeve liturgjike të kryesuara nga Papa Françesku deri në nëntor. Fillohet me meshën e së dielës, 22 shtator, në shenjtëroren “Zoja e Bonarisë”, me rastin e vizitës baritore në Kaliari të Sardenjës. Të dielën, më datë 29, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në sheshin e Shën Pjetrit, për Ditën e Katekistëve. Një ditë më vonë, do të zhvillohet Koncistori për disa çështje kanonizimi. Në atë rast, Papa do të njoftojë edhe datën, kur Kisha Katolike do të njohë si shenjtorë Gjonin XXIII dhe Gjon Palin II. Të premten, më 4 tetor, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në Asizi, gjatë vizitës baritore që do të kryejë në këtë qytet, pikërisht në festën liturgjike të shën Françeskut. Të shtunën, më 12 tetor, Papa do të udhëheqë lutjen mariane në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 17, për të kremtuar të nesërmen meshën, me rastin e Ditës Mariane. Të dielën, më 27 tetor, gjithnjë në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.30, Papa Françesku do të kremtojë meshën, në Ditën kushtuar Familjes.
Të premten, më 1 nëntor, në Solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, Papa do ta kremtojë meshën në varrezën monumentale të Veranos, në Romë, në orën 16. Më 2 nëntor, në Përkujtimin e të vdekurve, do të shkojë në Kriptën e Vatikanit, në orën 18, për t’u lutur për papët e vdekur. Të hënën, më 4 nëntor, në orën 11.30, në Bazilikën e Vatikanit, do të kremtojë meshën për shpirtin e kardinajve e të ipeshkvijve, që kanë vdekur gjatë këtij viti. Të dielën, më 24 nëntor, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, Ati i Shenjtë do të mbyllë Vitin e Fesë, duke kremtuar meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.30.







All the contents on this site are copyrighted ©.