2013-09-12 13:28:20

Papa në meshën e mëngjesit: për ta dashur armikun, medito për Mundimet e Jezusit e për ëmbëlsinë e Shën Marisë


Humaniteti i Jezusit që vuan dhe ëmbëlsia e shën Marisë. Janë dy pole, që duhet të tërheqin vështrimin e çdo të krishteri, janë ndihmë e fuqishme për ta jetuar Ungjillin. Këtu u përqendrua homelia e Papës Françesku në meshën e mëngjesit në Vatikan, në festën e Emrit të Zojës.
Ungjilli, tha Ati i Shenjtë, i kërkon shumë gjëra të vështira të krishterit: të falë, të jetë shpirtmadh, t’i dojë armiqtë… Mënyra e vetme për t’i arritur është “të meditojë Mundimet e Krishtit, humanitetin e Jezusit” e të imitojë sjelljen e Nënës së Zotit. Papa ia kushtoi homelinë Zojës, festa e sotme e së cilës, dikur quhej “Emri i ëmbël i Marisë”. Pastaj, shpjegoi, përkufizimi ndryshoi, por në lutje, mbeti ajo ëmbëlsi e emrit të saj:
“Sot, kemi nevojë për ëmbëlsinë e Zojës, për t’i kuptuar gjërat që Jezusi na kërkon, apo jo? Sepse kjo është një listë, e cila nuk jetohet aq lehtë. Duajini armiqtë, bëni mirë, jepni pa shpresuar në asgjë… Atij që të gjuan në njërën faqe, jepja edhe tjetrën; atij që të kërkon gunën, jepja edhe xhaketën… Janë gjëra të fuqishme, apo jo? Por gjithçka, në mënyrën e vet, e pati përjetuar edhe Zoja: është hiri i përvuajtërisë, hiri i zemërbutësisë”.
Edhe Shën Pali Apostull, në Letrën drejtuar Kolosianëve, në liturgjinë e sotme, i fton të krishterët të vishen me ndjenja ëmbëlsie, mirësie, përvuajtërie dhe zemërbutësie, ta durojnë e ta falin njëri-tjetrin. E si mund të realizohet kjo? – pyeti Papa Françesku. Si duhet të përgatitemi, çfarë duhet të studiojmë? Përgjigjja, tha Ati i Shenjtë, është e qartë: ne, vetëm me forcat tona, nuk mund t’ia arrijmë kësaj. Vetëm Hiri Hyjnor mund të veprojë në ne e të na bëjë të aftë t’i realizojmë këto mrekulli. E Hiri kalon në një udhë, që njihet mirë:
“Duhet të mendojmë vetëm për Jezusin. Nëse zemra e mendja jonë janë me Jezusin, me triumfuesin, me Atë që fitoi mbi vdekjen, mbi mëkatin, mbi djallin, mbi gjithçka, atëherë mund ta realizojmë ç’na kërkon Jezusi e ç’na kërkon edhe shën Pali Apostull: butësinë, përvuajtërinë, mirësinë, ëmbëlsinë, zemërgjerësinë, shpirtmadhësinë. Nëse nuk e ngulim vështrimin tek Jezusi, nëse nuk jemi me Jezusin, nuk mund ta bëjmë këtë. Është hir: është hiri që vjen nga kundrimi i Jezusit”.
Në veçanti, vazhdoi Papa Françesku, ka çaste të jetës së Jezusit, që duhen kundruar nga çdo i krishterë. Ato janë Mundimet e Krishtit, humaniteti i Atij që vuan:
“Mendo për heshtjen e tij të butë: kjo të takon ty, pjesën tjetër e bën Ai. Jezusi do të bëjë gjithçka mungon. Por, duhet ta bësh përpjekjen tënde, duhet ta fshehësh jetën nën Zotin, me Krishtin. Kjo arrihet me kundrimin e humanitetit të Jezusit, humanitet që vuan. Nuk ka rrugë tjetër: nuk ka. Kjo është e vetmja. Për të qenë të krishterë të mirë, duhet të kundrojmë humanitetin e Jezusit, që vuan. Kështu duhet bërë për ta dëshmuar, për të falur, për të mos e urryer të afërmin, për të mos folur kundër tij. Kundrimi i Jezusit që vuan, është e vetmja udhë. Fshihe jetën nën Krishtin, në Zotin: kjo është këshilla që na jep shën Pali Apostull. Është këshillë për t’u bërë të përvuajtur, të butë e të mirë, zemërgjerë e të ëmbël”.







All the contents on this site are copyrighted ©.