2013-09-11 14:29:58

Papa në Qendrën Astali: kuvendet bosh janë për korpin e Krishtit, për refugjatët


“Nuk duhet të kemi frikë nga dallimet! Vëllazërimi na bën të zbulojmë se ato janë pasuri, dhuratë për të gjithë!”. Kështu u tha Papa Françesku refugjatëve të Qendrës së jezuitëve Astali, të cilët i takoi dje pasdite, në formë private. Në përfundim të vizitës në mensën e Qendrës, Ati i Shenjtë shkoi në Kishën e Jezusit, ku ndodhet varri i atë Pedro Arrupes, themelues i Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët.RealAudioMP3
Sa herë, këtu e në vende të tjera të botës, vuri në dukje Papa, njerëz, që në lejen e qëndrimit kanë të shkruar “për mbrojtje ndërkombëtare”, janë të detyruar të jetojnë në gjendje të vështirë, pa dinjitet. Por, Qendra si kjo e jezuitëve, u japin atyre shpresë:
“I ndihmojnë t’u rikthehet besimi! Tregojnë se me mikpritje e vëllazërim mund të hapet një dritare drejt së ardhmes… më shumë se një dritare, një portë, e për më tepër, mund të ndërtohet akoma e ardhmja! Është bukur që, së bashku me jezuitët, punojnë për refugjatët burra e gra të krishtera e, edhe jo besimtarë, ose njerëz të feve të tjera, të bashkuar në emrin e së mirës të përbashkët, e cila për ne të krishterët është veçanërisht dashuria e Atit në Jezu Krishtin”.
Papa kujtoi se ishte pikërisht Shën Injaci i Lojolës, ai që deshi një hapësirë për më të varfërit, në banesën e tij në Romë. E në vitin 1981, atë Arrupe themeloi Shërbimin e Jezuitëve për Refugjatët. Ati i Shenjtë përdori, si gjithnjë, tri fjalë për të përshkruar programin e punës së jezuitëve e të bashkëpunëtorëve të tyre: shërbimi, shoqërimi dhe mbrojtja. Shërbim, nënvizoi Papa Françesku, do të thotë të përkulesh mbi nevojtarët e t’u japësh dorën, të tregohesh me ta njerëzor e solidar:
“Solidaritet: kjo fjalë, që i fut frikën botës së zhvilluar! Përpiqen të mos e thonë. Solidaritet është gati fjalë e ndyrë për ta. Por, kjo është fjala jonë! Shërbim, do të thotë t’i njohësh e të gjesh zgjidhje për pyetjet e drejtësisë, të shpresës, do të thotë të kërkosh së bashku rrugë e shtigje konkrete për t’i çliruar njerëzit”.
Të varfërit, vazhdoi Papa Bergolio, na mësojnë si të ecim në këtë rrugë, duke kapërcyer egoizmin, sigurinë e rreme, pretendimet se mund t’ia dalim mbanësh pa ndihmën e Zotit, e kështu, na afrojnë dalëngadalë me Hyjin, me butësinë, mëshirën e dashurinë e Tij, që kujdeset për të gjithë ne. Prandaj, shërbimi nuk është t’i bësh mirë vetëm tjetrit, është t’i bësh mirë edhe vetvetes, shpirtit tënd.
Fjala e dytë: shoqërimi. Pasi vijnë në Qendrën Astali, refugjatët shoqërohen nga vullnetarët për të gjetur punë e për t’u integruar në shoqëri, në mënyrë që askush të mos ketë më nevojë për mensë, për një shtrat, për ndihmë ligjore që të jetojë me dinjitet.
Fjala e tretë: mbrojtja. Do të thotë të jesh gjithmonë në anën e më të dobtit, duke mos e lënë vetëm në dorën e “ekspertëve” ligjorë, por duke e kthyer mbrojtjen e refugjatëve në pjesë të baritorisë së përditshme të Kishës. E ju drejtua veçanërisht rregulltarëve e rregulltareve:
“Të dashur rregulltarë e rregulltare, kuvendet bosh nuk i shërbejnë Kishës për t’i shndërruar në hotele e për të fituar para. Kuvendet bosh nuk janë tuajat, janë për korpin e Krishtit, për refugjatët. Zoti na bën thirrje ta jetojmë me më tepër guxim e bujari mikpritjen në bashkësi, në shtëpitë e në kuvendet bosh. Sigurisht nuk është e thjeshtë, duhet kriter, përgjegjësi, por duhet edhe guxim”.
Kemi nevojë, nënvizoi Papa Françesku, për bashkësi solidare, që e jetojnë konkretisht, dashurinë e Krishtit:
“Çdo ditë, këtu e në qendra të tjera, shumë njerëz, shumica të rinj, vihen në radhë për një pjatë gjellë. Këta njerëz na kujtojnë vuajtjet e dramat e njerëzimit. Por ajo radhë na thotë edhe se të bëjmë diçka, tani, të gjithë, është e mundur. Mjafton të trokasim në derë e të provojmë të themi: ‘Ja ku jam. Si mund të ndihmoj?’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.