2013-09-10 14:55:55

“Më kanë trajtuar si kafshë”: dëshmia e gazetarit italian Domeniko Kuiriko për luftën në Siri, ndërsa përgatiten rezoluta të OKB-së


Ndërsa Rusia përgatitet të paraqesë një plan për të vënë nën kontroll ndërkombëtar armët kimike në Siri, Franca punon për një rezolutë të OKB-së, me kërkesa të sakta, për t’i dhënë besim presidentit al-Asad, si dënimi i masakrës së 21 gushtit nga ana e regjimit, informacione për armët kimike, lejimin e inspektimeve dhe të kontrolleve mbi detyrimet e marra përsipër nga Damasku, parashikimin e sanksioneve të rrepta dhe çuarjen e përgjegjësve të masakrës para drejtësisë penale ndërkombëtare. Presidenti Obama paralajmëron se nuk do të lejojë të humbasë koha kot.
Në këtë gjendje, gazeta italiane “La Stampa” boton sot katër faqe me dëshminë e të dërguarit të saj në Siri, Domeniko Kuiriko, rrëmbyer nga rebelët më 9 prill e liruar këto ditë, pas pesë muajsh burgimi, gjatë të cilit e kanë trajtuar si kafshë. Në pamundësi për t’ju propozuar krejt artikullin, që mund ta gjeni të plotë në faqet e gazetës “La Stampa”, edhe në internet, po përkthejmë vetëm sintezën e fillimit, në të cilën gazetari shpreh gjithë mllefin e tij kundër një revolucioni, që nisi si dëshirë për të përmbysur diktaturën, por që po vazhdohet nga njerëz, të cilët s’kanë të bëjnë aspak me demokracinë.
“Më 8 prill, isha në Kuzair të Sirisë, -shkruan Domeniko Kuiriko - për të treguar një kapitull tjetër të luftës siriane, ku Pranvera e revolucionit dukej sikur do të vazhdonte përgjithmonë e do ta përmbyste botën. Por në vend të kësaj, kalova 152 ditë burg, në dhoma të vogla e të errta, ku luftoja kundër kohës, frikës dhe poshtërimeve, kundër urisë, mungesës së mëshirës, dy ekzekutimeve të rreme, dy ikjeve të dështuara dhe kundër heshtjes: së Zotit, të familjes, të të tjerëve, të jetës.
Peng në Siri, i tradhtuar nga revolucioni, që s’është më, e që është kthyer në fanatizëm e punë kusarësh. Peng, që derdh lot, por këtu, të gjithë tallen me dhimbjen e tij, e cila konsiderohet si provë dobësie. Siria është vendi i së Keqes; aty, e Keqja triumfon, punon, piqet si kokrrat e rrushit nën diellin e Lindjes. E shpalos të gjitha gjendjet e saj: babëzinë, urrejtjen, fanatizmin, mungesën e çdo mëshire; aty, madje, edhe fëmijët e pleqtë gëzohen, kur tregohen të këqinj. Sekuestruesit e mi lusnin Zotin e tyre, pranë meje, të burgosurit të vuajtur, e ishin të kënaqur, nuk u brente ndërgjegjja dhe e përqendronin krejt vëmendjen në ritin e tyre: çfarë i thonin vallë atij Zoti?”







All the contents on this site are copyrighted ©.