2013-09-10 13:57:54

Thirrje e kardinalit Shënborn dhe e patrikëve të Lindjes për paqen në Siri e për lirimin e ipeshkvijve të rrëmbyer


Kryeipeshkvi i Vjenës dhe kryetari i fondacionit “Pro Lindjes”, kardinali Kristof Shënborn, nënshkroi së bashku me patrikët e të gjitha Kishave Lindore, një thirrje, me të cilën kërkon paqen në Siri. Në të, vihet në dukje gjendja e vështirë e të krishterëve në Lindjen e Mesme e sidomos, frika për fatin e dy ipeshkvijve ortodoksë, edhe sot e kësaj dite, në duart e rebelëve. Përveç kërkesës për lirimin e tyre, në mesazh shkruhet: “Kërkojmë të bëhet çdo përpjekje për t’u siguruar mundësinë të shpërngulurve dhe refugjatëve, që të kthehen në vendet e origjinës; kërkojmë t’i jepet fund gjakderdhjes në Siri dhe të mbrohet një rend politik në Lindjen e Mesme, që garanton plotësisht të drejtat e njeriut, lirinë e fesë dhe të shprehjes”.
Nota përfundon, duke iu referuar në mënyrë të veçantë, të krishterëve. “Të krishterët e Lindjes së Mesme – thuhet në të – janë element themelor dhe i domosdoshëm i shoqërisë. Jemi të sigurtë se do të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie, karakterizuar nga paqja, respekti dhe toleranca e ndërsjelltë”. Nënshkruajnë dokumentin, së bashku me kardinalin Shënborn, patriku ortodoks antioken Juhana X, siro-ortodoksi Injacius Zaka I Iuas, greko-melkiti Gregorios III Laham, patriku kalde Luis Rafael I Sako, asiri Mar Dinka IV dhe patriku armeno-katolik Nerses Bedros XIX.







All the contents on this site are copyrighted ©.