2013-09-10 17:04:57

Papa Françesku, në mesin e refugjatëve të Qendrës Astali. Atë La Mana: takim që i bën thirrje ndërgjegjes


Papa Françesku shkoi sot për një vizitë private në Qendrën Astali të Romës, strukturë e jezuitëve, e cila, prej 30 vjetësh, ndihmon refugjatët, që ikin nga gjendje të vështira lufte e dhune. Në orën 15.30, Ati i Shenjtë hyri nga e njëjta portë, ku çdo ditë, dhjetra refugjatë vendosen në radhë për të marrë një racion me ushqime, ose për të kërkuar ndihmë. Kjo vizitë e Papës i ngjan asaj të ishullit italian të Lampeduzës, ku Ati i Shenjtë u takua me emigrantët e sapozbarkuar nga anijet e shpresës, që i sjellin drejt Evropës. Të dëgjojmë drejtorin e Qendrës Astali, atë Xhovani La Mana:
Jemi shumë të gëzuar për këtë vizitë, aty, ku refugjatët kalojnë jetën e përditshme, e cila përbëhet nga mensa, ndihma ligjore, ndihma shoqërore, asistenca shëndetësore. Papa u takua me vullnetarët, që shpërndajnë ushqime, me ata që japin ndihmë ligjore, me mjekët, që i vizitojnë refugjatët e me farmacistin, që u jep ilaçet. U ndal të lutet në kapelën tonë e pastaj u ngjit për t’u takuar me refugjatët, që banojnë me ne. Gjeti aty edhe të gjithë ata njerëz, që na mundësojnë t’i presim këta refugjatë, për t’u kthyer dinjitetin fillimisht, deri sa t’u njihen të drejtat.
Si u zhvillua ky takim i Papës me refugjatët? A pati kërkesa të veçanta, dhurata?
Mendoj se elementet më të rëndësishme të takimit ishin përvojat personale, mundësia e secilit prej refugjatëve për t’i treguar Papës Françesku si ka ardhur në Romë, gjë, që ndryshon nga arritja në Lampeduzë. Në Lampeduzë, mbizotëron lumturia që kanë mbërritur gjallë, me shpresa të mëdha për të ardhmen. Ndërsa në Romë, refugjatët e kuptojnë se nuk është gjithmonë e lehtë. Këtu duhet impenjimi ynë: t’ua lehtësojmë këtë mbërritje të dytë.
Atë La Mana, në muajt e parë të papnisë, Ati i Shenjtë ka kontribuar në sensibilizimin e opinionit publik ndaj “emigrantëve të detyruar”, siç quhen njerëzit, që detyrohen të largohen nga vendi i tyre, edhe kur nuk duan?
Jam i bindur se dëshmia e Papës Françesku na ndihmon të dalim nga reagimi emocional, për të realizuar një udhë të qëndrueshme, që ka vazhdimësi. Lampeduza qe një nga etapat e udhës së nisur me Atin e Shenjtë, me të cilin jemi lutur e kemi agjëruar edhe të shtunën e kaluar, për paqen në Siri e në botë. Është udhë, që vazhdon, që ka ndikim e që synon të zgjojë ndërgjegjet e të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.