2013-09-09 17:32:34

Rebelët sulmojnë shtëpitë e Maalulës në Siri. Vriten tre të rinj të krishterë


Trupa të krishterësh, të vrarë e të braktisur në anë të rrugës, shtëpi e kisha, shkatërruar e plaçkitur. Është skenari i Maalulës në Siri, vend, rreth 60 km larg Damaskut, sulmuar ditët e kaluara nga rebelët islamikë. Maalula, djep i traditës së krishterë siriane e vendi i vetëm i botës ku flitet gjuha e Krishtit, gjuha aramaike, është tashmë një qytet fantazmë. Burime të agjencisë Azianjuz (anonime për arsye sigurie), tregojnë se rebelët islamikë po plaçkisin shtëpitë. Dje, ata vranë tre vetë dhe morën peng gjashtë të rinj të krishterë të Kishës greko-katolike. Kufomat janë lënë në rrugë, si kërcënim për popullsinë. Shumë familje janë bllokuar në shtëpitë e tyre e nuk munden as të ikin. Askush nuk di në ç’gjendje jetojnë.
Gjendja është kritike edhe për ata, që kanë arritur të largohen nga fshati. Kanë lënë aty gjithçka kishin, prandaj fillojnë një Kalvar të ri. Famullitë e kryeqytetit i kanë mirëpritur, por ushqimet nuk mjaftojnë për një kohë të gjatë. Janë njerëz të traumatizuar, shpjegon agjencia Azianjuz, nuk kanë nevojë vetëm për ushqime, ujë, një shtrat për të fjetur, por edhe për përkrahje shpirtërore, sidomos të moshuarit, gratë e fëmijët.
Rebelët e “Free Syrian Army” sulmuan fshatin më 5 shtator, duke mundur trupat e regjimit të Asadit, falë mbështetjes së brigadave al-Nusra, lidhur me Al Kaedën. Pasi morën në dorë vendin, ata filluan të profanojnë vendet e krishtera të kultit, duke shkatërruar kryqet mbi kupolën e manastirit greko-katolik të shenjtorëve Serxho e Baku. Shehu i fshatit, kreu i bashkësisë myslimane, tregon i njëjti burim i Azianjuz, i dënoi sulmet, duke deklaruar se ç’po ndodh është kundër Islamit. “Dhuna nuk mund të ushtrohet as në emër të Allahut, as në emër të Muhametit”, deklaroi ai, por pa dobi.







All the contents on this site are copyrighted ©.