2013-09-09 15:49:49

Papa Françesku pret në audiencë Franko Mianon, kryetar i Veprimit Katolik Italian


Sot paradite në Vatikan, Papa Françesku priti në audiencë kryetarin e Veprimit Katolik Italian, Franko Miano. Të shumta, temat e prekura gjatë takimit vëllazëror, duke filluar nga vokacioni edukativ, që karakterizon shoqatën më të madhe të laikëve katolikë në Itali, gjithnjë e impenjuar në shërbimin e përditshëm në famulli e në dioqeza. Përkushtim ky, që Veprimi Katolik Italian e ka të përbashkët me të gjitha degët e Veprimit Katolik në botë, të cilat u shërbejnë të vuajturve, atyre që kërkojnë shpresë e solidaritet.
Duke marrë shembullin e shenjtorëve e të lumëve, të shumtë në gjirin e Veprimit Katolik, Ati i Shenjtë e inkurajoi organizatën të jetë gjithnjë e më misionare. Një shoqatë të rinjsh e të rriturish, që hyn në dialog e takohet me të gjithë, me gëzim e pa frikë, pasi duhet preferuar një Kishë që merr ndonjë plagë aksidentalisht, në krahasim me një Kishë të sëmurë gjithnjë, tha Papa Françesku.
Në përfundim të audiencës, Franko Miano i dhuroi Papës çantën e shpinës së Veprimit Katolik të të Rinjve, të cilët morën pjesë në shtegtimin e kësaj fund jave në Romë, për Vitin e Fesë, duke u lutur për paqen të shtunën paradite, para lutjes së madhe të mbrëmjes me Atin e Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.