2013-09-09 17:32:22

Kryeipeshkvi sirian Hindo i shkruan Obamës: bota nuk do luftë


“Është për paqen, që po ju shkruaj, për paqen tonë. Është kundër luftës, që ju shkruaj, kundër luftës suaj”. Këto janë fjalët, që përdor në letrën drejtuar presidentit amerikan Barak Obama, kryeipeshkvi siro-katolik i Hassaké-Nisibi, imzot Behnam Hindo. Kryeipeshkvi kërkon të hidhen poshtë të gjitha planet për ndërhyrje ushtarake në Siri. Dioqeza e tij ndodhet në provincën siriane veri-lindore të Zhazirës, në një rajon, ku – siç shkruan imzot Hindo – një milion e gjysëm njerëz vuajnë nga pasojat e luftës e të shkatërrimit, ku mungon çdo gjë, sidomos liria.
Në letrën, për të cilën flet agjencia katolike Fides, kryeipeshkvi sirian kritikon ashpër rrugën e ndërmarrë nga administrata amerikane, duke shprehur dyshime të mëdha për provat e përdorimit të armëve kimike nga ana e regjimit të Asadit, të cilat duhet të justifikojnë ndërhyrjen e armatosur ndërkombëtare. Ai e këshillon presidentin Obama të presë rezultatet e hetimit të Komisionit të OKB-së, duke e lutur t’i kursejë popullit masakrat, shkatërrimet e vuajtjet. “Unë – shkruan imzot Hindo – i shkruaj atij, emri i të cilit tingëllon si ‘baraka’, që do të thotë ‘bekim’. Bekim për kombin tuaj të madh, e paqe, fryt bekimesh, për popullin tim. Këto janë dëshirat e mia. Tani, ato janë në duart e një Çmimi Nobel për paqen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.