2013-09-08 13:37:36

Papa në Lutjen për paqen: kurrë më luftë! Idhulli i pushtetit i shndërron njerëzit në Kainë të rinj


“Kurrë më luftë, kurrë më luftë!”: kjo qe thirrja e Atit të Shenjtë mbrëmë në Ditën e lutjes e të agjërimit për paqen në Siri e në botë, para 100 mijë vetëve, por kjo qe thirrja e Papës Françesku edhe sot në Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Dy ditë për t’i kërkuar Zotit paqen, me fjalët e shpirtit e jo me ushtimën e armëve. “Lufta - tha Papa – nuk është udhë drejt paqes”, ndërsa idhulli i pushtetit i shndërron njerëzit në Kainë të rinj, që s’bëjnë tjetër veçse ushqejnë dhunën, duke synuar vetëm shitjen e armëve, edhe të atyre të paligjshme.RealAudioMP3
Duam një botë në harmoni e në paqe, e ngriti zërin mbrëmë Papa Bergolio para njerëzve të të gjitha ngjyrave, të krishterë e myslimanë, italianë, sirianë, emigrantë e të ardhur nga çdo cep i botës, besimtarë e jo besimtarë, që nga fshesaxhiu deri tek politikani më i lartë. 100 mijë vetë u lutën me Atin e Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nga ora 7 e mbrëmjes deri në orën 11 të natës, e miliona të tjerë u bashkuan me këtë lutje nga e gjithë bota, në kisha, xhami e tempuj të çdo feje. Duam një botë, tha Papa Françesku, ashtu siç e ka krijuar Zoti me veprën e Tij të mrekullueshme, e cila shkatërrohet kur njeriu mbyllet në egoizmin e vet e nuk e lë veten të merret për dore nga kjo bukuri e mirësi hyjnore:
“Kur njeriu mendon vetëm për veten, për interesat e veta dhe vendos vetveten në qendër të jetës, kur tërhiqet nga idhujt e mbizotërimit e të pushtetit, kur e vë veten në vend të Zotit, atëherë i prish të gjitha marrëdhëniet, shkatërron gjithçka dhe i hap portën dhunës, indiferencës, konfliktit”.
Kur njeriu nuk është më në harmoni me Gjithësinë, kur arrin të ngrejë dorën kundër vëllait të vet, theksoi Ati i Shenjtë, bëhet si Kaini e në vend që ta dojë e ta mbrojë vëllain e vet, e konsideron kundërshtar për t’u luftuar e vrarë:
“Në çdo dhunë e në çdo luftë ne e ngjallim sërish Kainin. Ne të gjithë! Edhe sot vazhdojmë historinë e ndeshjes ndërmjet vëllezërve, edhe sot ngremë dorën kundër vëllait tonë.”
Që nga koha e gurit e deri më sot, në mijëvjeçarin e tretë, sjellja e njeriut nuk ka ndryshuar:
“Kemi përsosur armët, e kemi vënë në gjumë ndërgjegjen, i kemi bërë më të holla arsyet për t’u justifikuar. Si të ishte krejt normale, vazhdojmë të mbjellim shkatërrim, dhimbje, vdekje! Dhuna, lufta, sjellin vetëm vdekje, flasin për vdekje! Dhuna e lufta përdorin gjuhën e vdekjes!”
Por, tha Papa, duke iu referuar gjithnjë faqeve të para të Biblës, pas Përmbytjes, shiu pushoi: u pa ylberi dhe një pëllumb solli degën e ullirit:
“Edhe sot mendoj për atë ulli, që përfaqësuesit e feve të ndryshme e mbollën në Buenos Aires, në Sheshin ‘de Majo’ në vitin 2000, duke kërkuar të mos ketë më kaos, duke kërkuar të mos ketë më luftë, duke kërkuar paqen”.
E pastaj, Papa pyeti: “A është e mundur të ndërmarrim një rrugë tjetër? A mund të dalim nga kjo spirale e dhimbjes dhe e vdekjes? A mund të mësojmë sërish të ecim në udhët e paqes?”. E ja përgjigjja:
“Sonte do të doja që nga çdo anë e tokës, ne të thërrasim: Po, është e mundur për të gjithë! Madje do të doja që secili prej nesh, nga më i vogli tek më i madhi, deri tek ata, që duhet të udhëheqin kombet, të përgjigjemi: “Po, ne duam!”.
Feja e krishterë, vazhdoi më pas Ati i Shenjtë, na nxit t’i kthejmë sytë nga Kryqi i Krishtit. Do të desha, shtoi Papa Françesku në listën e tij të dëshirave, që për një çast, të gjithë burrat e gratë vullnetmirë t’i kthejnë sytë nga Kryqi! Aty mund ta lexojmë përgjigjen e Zotit:
“Aty, dhunës nuk i përgjigjet dhuna, vdekjes nuk i përgjigjet gjuha e vdekjes. Në heshtjen e Kryqit, armët nuk gjëmojnë më e flet gjuha e pajtimit, e faljes, e dialogut, e paqes. Sonte, dua t’i lutem Zotit që ne, të krishterët, vëllezërit e feve të tjera, çdo burrë e grua vullnetmirë ta ngrejë zërin me forcë për të thënë: dhuna e lufta nuk janë kurrë udhë për paqe!”
Papa Françesku i ftoi të gjithë të rrëmojnë thellë në ndërgjegje, për të dëgjuar fjalët e Zotit, që u kërkon njerëzve të mos mendojnë vetëm për interesat e tyre, të cilat e ngurtësojnë zemrën, ta kapërcejnë indiferencën ndaj tjetrit, që e bën zemrën të pandjeshme, të fitojnë mbi vdekjen e t’ia hapin portat dialogut e pajtimit:
“Shikoje dhimbjen e vëllait tënd – e mendoj për fëmijët, sikur edhe për ata vetëm – shikoje dhimbjen e vëllait tënd e mos shto dhimbje tjetër, ndale dorën, rikrijoje harmoninë e prishur; e këtë, jo me ndeshje, por me takim! Të ndalet zhurma e armëve! Luftë do të thotë gjithnjë dështim i paqes, njerëzimi del gjithnjë i mundur. Të ushtojnë edhe një herë fjalët e Papës Pali VI: ‘Jo më njëri kundër tjetrit, jo më, kurrë!... kurrë më luftë, kurrë më luftë!’ (Fjalimi në Kombet e Bashkuara, 4 tetor 1965)”.
Paqja vjen vetëm me paqe, me atë paqe, që nuk duhet kuptuar si e ndarë nga detyra për vendosjen e drejtësisë, e që ushqehet nga vetëflijimi, nga zemërgjerësia, nga mëshira, nga dashuria. E Papa Françesku përfundoi, duke thënë:
“Falja, dialogu, pajtimi janë fjalët e paqes: në kombin e dashur sirian, në Lindjen e Mesme, në të gjithë botën! Të lutemi për pajtimin e paqen, të punojmë për pajtimin e paqen e, të bëhemi të gjithë, në çdo ambient, burra e gra të pajtimit e të paqes. Ashtu qoftë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.