2013-09-05 15:30:42

Papa pret Katolikosin ortodoks Mar Baselios: kultura e takimit bën të kapërcehen paragjykimet e ndarjet


T’i krijojmë hapësirë kulturës së takimit, për të vazhduar të ecim drejt bashkimit: ky është urimi i Papës Françesku gjatë bisedës së sotme në Vatikan me Shenjtërinë e Tij Moran Baselios Marthoma Pauolose II, Katolikos i Kishës Ortodokse Siro-Malankareze. Kjo Kishë lind nga dëshmia e fesë e Shën Tomës në Krishtin e ngjallur, të cilin apostulli e ndoqi deri në martirizimin e vet në Indi, sipas traditës. Është kjo fe, që i bashkon dy Kishat, nënvizoi Ati i Shenjtë, dhe i shtyn ta intensifikojnë impenjimin ekumenik për bashkimin e plotë të të krishterëve. Papa kujtoi hapat e bëra gjatë 30 vjetëve të fundit e punën e lavdërueshme të Komisionit të përzier katoliko-ortodoks për të kapërcyer “kulturën e konfliktit” duke i lënë hapësirë “kulturës së takimit”. Së fundi, lutja e Papës Françesku:
“Shpirti Shenjt vazhdoftë të na shndrisë e të na udhëheqë drejt pajtimit e harmonisë, duke kapërcyer të gjitha ndarjet e rivalitetet, që kanë karakterizuar të kaluarën. Shenjtëri, ta ndërmarrim së bashku këtë udhë, duke parë me besim drejt asaj dite, në të cilën, me ndihmën e Zotit, do të jemi të bashkuar në elterin e flijimit të Krishtit, në plotësinë e bashkimit eukaristik. Të lutemi njëri për tjetrin, duke kërkuar mbrojtjen e Shën Pjetrit e të Shën Tomës për të gjithë grigjën, që i është besuar kujdesit tonë baritor. U lutemi atyre, që kanë punuar së bashku për Ungjillin, të ndërhyjnë për ne e ta shoqërojnë udhën e Kishave tona”.







All the contents on this site are copyrighted ©.