2013-09-05 15:12:51

Papa Françesku: për çdo të krishterë, Jezusi ka një premtim e një mision


Kur vjen Zoti “kam frikë se kalon e nuk e kuptoj”: me këtë citim nga Shën Augustini, Papa Françesku filloi homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, gjatë së cilës reflektoi për mënyrat me të cilat duket Krishti në jetën e të krishterit.
Një premtim që ngushëllon, një kërkesë për bujari, një mision për t’u plotësuar: këto janë, sipas Atit të Shenjtë, mënyrat me të cilat Krishti prek e ndikon në jetën tonë. I dha shkas për këtë reflektim Ungjilli i sotëm, në të cilin tregohet për peshkimin e mrekullueshëm – mënyrë, me të cilën Krishti u duket apostujve të vet, Pjetrit, Jakobit e Gjonit, duke i premtuar Pjetrit të habitur se do ta bëjë “peshkatar njerëzish”. Në këtë rast, Zoti kalon pranë apostujve përmes një mrekullie. Jo gjithnjë ndodh kështu, tha Papa Françesku, por gjithnjë e ndjejmë Hyjin, që kalon në jetën tonë:
“Gjithmonë, kur Zoti vjen në jetën tonë, kur kalon në zemrën tonë, na thotë një fjalë e një premtim: ‘Ec përpara… me guxim, mos ki frikë, sepse ti do të bësh këtë, apo atë!’ Është ftesë për mision, për ta ndjekur. E kur e dëgjojmë këtë ftesë, shohim se ka diçka në jetën tonë që s’shkon, që duhet ta ndreqim, dhe e lëmë kështu mënjanë, me bujari. Ose, edhe kur ka ndonjë të mirë në jetën tonë, Zoti mund të na frymëzojë ta lëmë, për ta ndjekur më nga afër”.
E Hyji, vazhdoi Papa, ua bën të qartë njerëzve edhe qëllimin, në një farë mënyre, ua shpjegon pse i ka thirrur për ta ndjekur:
“Jezusi nuk thotë kurrë ‘Më ndiq!’ pa shpjeguar misionin. Jo. ‘Më ndiq e unë do të të bëj këtë apo atë’, “Më ndiq, për këtë arsye’, ‘Nëse do të jesh i përsosur, braktis gjithçka dhe më ndiq’. Gjithnjë mision…Shkojmë pas Tij për të bërë diçka: është misioni”.
Premtim, kërkesë, mision. Këto tri çaste, tha në fund Papa, kanë të bëjnë jo vetëm me jetën e përditshme, por edhe me lutjen. Lutja nuk është e tillë, pa fjalën e Jezusit, pa besimin, pa premtimin. Është mirë t’i kërkojmë Jezusit të jemi gati të lëmë gjithçka për të shkuar pas Tij e për t’u impenjuar në misionin, që Ai na cakton:
“Është lutje e vërtetë e krishterë kur dëgjojmë Zotin, me Fjalën e Tij të ngushëllimit, të paqes e të premtimit. Kur kemi guximin të zhvishemi nga diçka, që na pengon ta ndjekim shpejt e të shkojmë në mision. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi më tundime. Kemi shumë, madje! Por, Pjetri mëkatoi rëndë, e mohoi Jezusin, ama pastaj, Zoti e fali. Jakobi e Gjoni…mëkatuan për karrierizëm, duke dashur të ngjiten më lart, por Zoti i fali”.








All the contents on this site are copyrighted ©.