2013-09-04 14:00:10

Papa në Asizi më 4 tetor: dioqeza paraqet programin e vizitës


Papa shtegtar në Umbria, në gjurmët e Shën Françeskut, Pajtorit të Italisë. Dioqeza paraqiti programin e vizitës së Papës Françesku në Asizi, më 4 tetor. Ditë intensive, ajo e Atit të Shenjtë në festën e Pajtorit të Italisë, frymëzim për papninë e Horhe Mario Bergolios.
Papa mbërrin me helikopter në orën 7.45 në fushën sportive të Institutit Serafik, qendër e njohur bamirëse, që mbledh të rinjtë me të meta e probleme fizike të rënda nga e gjithë Italia. Ati i Shenjtë do të takohet me ta e pastaj do të shkojë në vendin e parë françeskan, në kishën e Shën Damianit, ku shën Françesku dëgjoi zërin e Jezusit në Kryq dhe e ndryshoi krejtësisht jetën. Më pas, një takim domethënës e pa precedent: Papa do të shkojë në dhomën e “zhveshjes”, siç quhet dhoma e selisë kryeipeshkvnore, që kujton gjestin e zhveshjes së Françeskut para të atit, Pietro i Bernardonit. Këtu Ati i Shenjtë do të takohet me të varfër, që ndihmohen nga Karitasi, para se të hyjë në kishën e Zojës së Madhe, ngjitur me kryeipeshkvinë.
Në orën 11.00, mesha në sheshin para Bazilikës së Shën Françeskut, pas nderimit të relikeve të shenjtit brenda saj. Në përfundim të kremtimit, do të ndizet llampa kushtimore, e cila mbahet gjithnjë e ndezur nga vaji i dhuruar, me radhë, nga njëri prej rajoneve të Italisë. Kësaj here, vajin e dhuron Umbria. Papa do të shkojë më pas për drekë në një qendër të Karitasit, pranë stacionit hekurudhor të Zojës së Engjëjve.
Pasdite, rreth orës 14.30, vizita private e Atit të Shenjtë në Eremitazhin e Burgjeve, vend ku shën Françesku i Asizit dhe ndjekësit e tij luteshin e meditonin. Më pas, në katedralen e Shën Rufinit, Papa do të takohet me përfaqësi nga e gjithë dioqeza, e cila po mban sinodin pikërisht në këtë periudhë. Pastaj, vizita private tek klariset në Bazilikën e Shën Kiarës. Në orën 17.30, pas lutjes në kishën e Porciunkolës, zemër e përshpirtërisë françeskane, Papa Bergolio përqafon të rinjtë në sheshin para Bazilikës së Zojës së Engjëjve e para se të kthehet në Romë, do të kalojë në Shenjtëroren e Rivotortos, ku do të vizitojë koliben e Shën Françeskut. Kthimi në Vatikan parashikohet për në orën 20.00.
Por për domethënien e kësaj vizite të Papës në gjurmët e Varfanjakut të Asizit, të dëgjojmë ipeshkvin e këtij qyteti, imzot Domeniko Sorrentino:
Françesku flet për kthimin e tij kah Zoti, duke vënë në dukje përvojën e kthimit të shpirtit, gëzimin, që pati provuar me të gërbulurit. Papa vjen për të ecur pas hapave të Shën Françeskut e për t’i dhënë një mesazh krejt Kishës, që edhe ajo të bëjë kështu. Ne ndjejmë se pikërisht për këtë, kjo vizitë është risi: përmban disa vende të reja, theksohen gjëra të reja e vërtet, duam ta dëgjojmë me vëmendje mesazhin e Atit të Shenjtë.
Gjë e re do të jetë vizita në “dhomën e zhveshjes”, e cila për shën Françeskun nuk do të thoshte vetëm zhveshje nga rrobat e trupit, apo jo?
Pa dyshim. Ajo që pati bërë Françesku, shprehte vendimin e tij për të ndjekur Krishtin: i zhveshur, me Zotin e zhveshur, pra, në një takim të ndjerë me Zotin. Shën Françesku hiqte dorë nga vetvetja për t’u bërë njeri i Hyjit e, shi për këtë, edhe njeri i vëllezërve, njeri i vëllazërimit universal, që arrinte deri tek krijesat materiale: vëllai Diell, motra Hënë… Është Françesku, që me këtë gjest, hyn në udhën e lirisë së biijve të Zotit. Jo më i ati, Pietro i Bernardonit, por “Ati ynë që je në Qiell” e, kjo liri e bën shenjtin tepër tërheqës, sepse e kthen në Françeskun, që rrezaton Ungjillin, të aftë t’i flasë edhe kulturës së sotme e të thotë fjalë shprese edhe për të përballuar sfidat e mëdha të shoqërisë sonë, si besimtarë e si njerëz vullnetmirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.