2013-09-04 14:21:36

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Interpretimi i ‘depositum fidei’.


Në reflektimin e 9-të të ciklit kushtuar 20-vjetorit të Katekizmit të Kishës Katolike, jezuiti atë Dariush Kovalçik flet për Interpretimin e depositum fidei’, domethënë të mësimeve të Apostujve, marrë drejtpërdrejt nga Krishti.

Tradita Kishtare dhe Shkrimi Shenjt, dy mënyrat për ta transmetuar Zbulesën hyjnore, nuk janë realitete të ngrira por, me që iu besuan bashkësisë kishtare, janë realitete që ruhen, praktikohen e dëshmohen në mënyra gjithnjë të reja e, njëkohësisht besnike ndaj mësimit të Apostujve. Kjo besnikëri, për të mos përsëritur të njëjtat formula, pa i kuptuar, kërkon interpretim të vazhdueshëm. Duhet të bëjmë përpjekje për ta shprehur misterin e fesë me një gjuhë gjithnjë më të përshtatshme. Interpretimi i Shkrimit Shenjt dhe i Traditës Kishtare nuk e ndryshon vlerën e dogmave, përkundrazi, përbën një kusht sine qua non për shprehjen sa më të saktë të Besojmës në çdo epokë, në çdo brezni, në çdo kulturë. Katekizmi, në numrin 85, na kujton se “detyra për ta interpretuar Fjalën e Zotit, të shkruar ose të transmetuar, i besohet vetëm Magjisterit të gjallë të Kishës, domethënë ipeshkvijve, në bashkim të plotë me Papën”.

Pa harruar se mësimi i Kishës nuk mund të vihet mbi Fjalën e Zotit: magjisteri i shërben kësaj Fjale, ia vë mirë veshin, e ruan, e shtjellon. Mund të themi se shërbimi i Magjisterit është realizim konkret i premtimit të Jezusit: “Shpirti i së vërtetës do t’ju prijë drejt së vërtetës së plotë” (Gjn 16,13).
Ndihma e Shpirtit Shenjt nuk realizohet në mënyrë demokratike, sepse e vërteta e zbuluar nuk mund të ngushtohet në opinionin njerëzor të shumicës. Shpirti Shenjt vepron në mbarë Kishën, por në çaste të përshtatshme e sa më saktësisht që të jetë e mundur, përmes magjisterit të Kishës. Nuk kërkojmë, prandaj, të krijojmë një Kishë sipas dëshirës e vizionit tonë, por kujtojmë gjithnjë fjalët, që Krishti ua tha Apostujve të vet: “Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua!”(Lk 10,16).
T’i kujtojmë, pra, Fjalët e Jezusit, duke shfletuar Shkrimin Shenjt e Katekizmin, ditë për ditë...







All the contents on this site are copyrighted ©.