2013-09-04 17:30:22

Në audiencën e përgjithshme, Papa kujtoi DBR-në e Rios: të rinjtë të hapin portat drejt një bote të re, plot shpresë


Audienca e përgjithshme e paradites së sotme u hap nga Papa me një katekizëm, kushtuar krejtësisht DBR-së së Rio-de-Zhanejros. Duke u kthyer edhe një herë në ditët e kaluara në Brazil, Ati i Shenjtë u bëri thirrje sërish të rinjve të jenë “shpresë” për botën.
Papa Françesku e rifilloi dialogun, aty ku e kishte ndërprerë për pushimet verore, sikur jehona e fundit e duartrokitjeve, që patën shpërthyer në bregdetin e Kopakabanës, mbushur plot e përplot si kurrë ndonjëherë, të kishte udhëtuar ngadalë përmes oqeanit, për të rishpërthyer një muaj më vonë, në mesin e shtyllave të Berninit, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Edhe kësaj here, dialogu i Atit të Shenjtë me të rinjtë qe një rreze drite në një çast të errët për planetin. Papa e kujtoi Ditën Botërore të Rinisë, duke e përshkruar si nxitje për atë shpresë, që vetëm të rinjtë mund t’ia dhurojnë plotësisht botës së të rriturve, tepër të impenjuar të planifikojnë luftën. Me largësinë e duhur kohore dhe kilometrike nga Rio-de-Zhanejro - që siç tha Papa, të ndihmon ta kuptosh më mirë rëndësinë e atyre ditëve braziliane - Ati i Shenjtë përvijoi tri pika kryesore për t’u kujtuar. E para, mikpritja:RealAudioMP3
“Njerëz të mirë këta brazilianët! Njerëz të mirë! Kanë vërtet zemër të madhe! Shtegtimi sjell gjithnjë probleme, por mikpritja ndihmon të kapërcehen e, madje, i shndërron në raste për njohje e miqësi. Lindin lidhje, që pastaj mbeten, sidomos në lutje. Edhe kështu rritet Kisha në të gjithë botën, si një rrjetë miqësie të vërtetë me Jezu Krishtin, një rrjetë që, kur të kap, të bën të lirë”.
E këta brazilanë, së bashku me të rinjtë e Ditës Botërore të Rinisë, tha Papa Françesku, dhanë edhe një dëshmi të pashlyeshme “feste”:
“Kur një qytet mbushet me djem e vajza, që ecin nëpër rrugë me flamujt e gjithë botës, duke u përshëndetur e duke u përqafuar, kjo është festë e vërtetë. Është sinjal për të gjithë, jo vetëm për besimtarët. E pastaj, është festa më e madhe, festa e fesë, kur së bashku lëvdojmë Zotin, këndojmë, dëgjojmë Fjalën e Hyjit, rrimë në heshtje e në adhurim: e gjithë kjo përbën kulmin e Ditës Botërore të Rinisë, është qëllimi i vërtetë i këtij shtegtimi, që përjetohet veçanërisht në Mbrëmjen e madhe të lutjes, të shtunën, e në Meshën përfundimtare”.
Më pas, siç ndodh shpesh, energjia e Papës Françesku u kthye në rrymë entuziazmi, që ndezi zemrat e atyre, që po dëgjonin në Sheshin e Shën Pjetrit. Të rinjtë e pranishëm qenë të parët, që reaguan ndaj ftesës së Atit të Shenjtë, kur u ndal në elementin e tretë për të kujtuar nga DBR-ja e Rios: “misioni”. Ju, iu drejtua Papa të rinjve duke kryqëzuar vështrimin me ta, nuk përbëni lajm, sepse sillni Krishtin e ngjallur në shoqëri e jo shkandullet, vëllazërimin e jo dhunën. Por edhe një djalë, ose një vajzë, që për sytë e botës vlen pak e asgjë, mund të luajë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen e kësaj bote, e cila s’pyet për të. Prandaj, tha Papa Bergolio, të rinjtë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre:
“Të gjithë të rinjve, dua t’u kërkoj me forcë… por s’e di nëse sot në shesh ka të rinj: a ka të rinj në shesh? A ka ndonjë? Dua t’ju kërkoj të gjithëve me forcë: a doni të jenë shpresë për Zotin? A doni ju të jeni shpresë? (Të rinjtë: “Po!”) Doni të jeni shpresë për Kishën? (Të rinjtë: “Po!”) Një zemër e re, që e pranon dashurinë e Krishtit, shndërrohet në shpresë për të tjerët, në forcë pa fund! Por ju, djem e vajza, të gjithë të rinjtë, ju duhet të na shndërroni në shpresë, të shndërroheni në shpresë! Të hapni portat drejt një bote të re shprese. Kjo është detyra juaj. A doni të jeni shpresë për të gjithë ne? (Të rinjtë: “Po!”).
Një ftesë të ngjashme – kësaj radhe, për të dalë nga rrethi personal e për të dëgjuar me dashuri çdo njeri – Papa ua drejtoi grupeve të ndryshme të shtegtarëve, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Dashuria e Zotit, tha Ati i Shenjtë, duhet pranuar e duhet ndarë me të tjerët, sepse vetëm kështu i bëhet mirë njeriut:
“Sidomos, këtë dashuri, që e ndryshon jetën, duhet ta bashkëndajmë me më të brishtët e më nevojtarët. Dashuria e Zotit e ndryshon jetën! Na ndryshon të gjithëve, na bën më të mirë, më të lumtur… Mos harroni se secili prej jush, duke përhapur dashurinë hyjnore, kontribuon në ndërtimin e një bote më të drejtë e më solidare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.