2013-09-04 18:31:13

Festa liturgjike e së Lumes Nënë Terezë


Më 5 shtator, kalendari liturgjik i Kishës katolike kremton festën e së Lumes Nënë Terezës, një jetë në shenjë të dashurisë së Krishtit e të dashurisë në bamirësi. Festa kishtare përkon me atë mbrëmje të paharrueshme 5 shtatorit 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë Nënë Tereza. Kujtimi i saj është i gjallë në zemrën e secilit nga ne, në mbarë Kishën e në mbarë botën. Kjo grua e vogël, e ardhur nga një familje e thjeshtë shqiptare, me forcën e besimit në Zotin, diti të kryejë një vepër të mrekullueshme dashurie për të afërmin, posaçërisht për më të vafrin.
Në të vërtetë e Lumja Nënë Terezë ishte dhuratë e Zotit për të varfrit më të varfër; e njëkohësisht, pikërisht për shkak të dashurisë së saj të jashtëzakonshme për të mjerët, qe e mbetet dhuratë e jashtëzakonshme për Kishën e për botën. Ajo ia dhuroi plotësisht vetveten Zotit, gjë që e përsëriste çdo ditë në lutje. Ishte pikërisht kjo dhuratë bërë Zotit, ajo që e çoi në dhurimin e plotë të vetvetes në shërbim të të afërmit e në mënyrë të veçantë të më varfërve ndër të varfër.
Në buzëqeshjen, në gjestet, në fjalët e Nënë Terezës, Jezusi vijoi të ecte në rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vijon ta bëjë këtë përmes misionareve e misionarëve të bamirësisë, që formojnë familjen e madhe shpirtërore të themeluar prej saj.
Në festën liturgjike, Kisha na fton ta kremtojmë festën e kësaj së Lume dhe në jetën e përditshme t’i imitojmë në gjestet thellësisht ungjillore që Nënë Tereza pati ndaj çdo njeriu, atij që qe i varfër materialisht e atij që qe i varfër shpirtërisht.
Jeta e së Lumes Nënë Terezë është zhvilluar tërësisht në shenjë të dashurisë së Krishtit, me fjalë tjera të bamirësisë. Ajo dashuri bamirëse, që përfaqëson urdhrin më madh shoqëror. Dashuria bamirëse, drejtësia dhe vërteta janë shtylla themelore nga të cilat, besimtarë e jo besimtarë, duhet të frymëzohen për jetën e veprimtarinë e ndërgjegjshme në shoqërisë bashkëkohore. Po të mos harrojmë: e Lumja Nënë Terezë nuk deshi të ofronte modele të jetës shoqërore apo politike: ajo thjesht e përvujtërisht, i përgjigjej etjes së Krishtit në të varfër e të mënjanuar e, përmes dashurisë, dhuroi jetën për ta lartuar njeriun, posaçërisht më të varfrin ndër të varfër.
Prandaj të mos e harrojmë shembullin e madh që na la Nënë Tereza e të mos mjaftohemi ta kujtojmë vetëm me fjalë! Të marrim guximin për ta vënë gjithnjë në vend të parë njeriun me të drejtat e tij themelore. Udhëheqësve të Kombeve, në këtë situatë aktuale, e Lumja Nënë Terezë u thotë: mos u mbështetni tek forca e armëve! Ecni, përkundrazi, në rrugën e çarmatimit, për t'i përdorur burimet e nevojshme në shërbim të qëllimeve të mëdha të qytetërimit e për të luftuar të bashkuar kundra urisë e sëmundjeve, në mënyrë që çdo njeri të mund të jetojë e të vdesë si njeri. Këtë do Zoti, e pikërisht këtë na e kujtoi, përmes dëshmisë së Nënë Terezës, së cilës i drejtohemi të ndërmjetësojë për paqe e dashuri ndërmjet popujve e kombeve. Na ndihmoftë e na shoqëroftë nga qielli!







All the contents on this site are copyrighted ©.