2013-09-03 15:01:26

Programi i mbrëmjes së lutjes për paqen në Siri të shtunën në Vatikan


Në kuadrin e ditës së agjërimit e të lutjes për paqen në Siri e të mbrëmjes së lutjes, në program të shtunën e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, me Papën Françesku, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit i ka ftuar sot ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë për një briefing, që do të zhvillohet të enjten paradite, për të njoftuar Trupin diplomatik mbi domethënien e nismës të Papës. Kështu pohoi zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Sekretaria e Shtetit të Selisë së Shenjtë ka njoftuar për këtë nismë të rëndësishme për paqe edhe konferencat ipeshkëvnore katolike të botës. E po kështu kanë vepruar edhe dikasteret kompetente të Vatikanit me Kishat tjera të krishtera dhe me bashkësitë tjera fetare të botës.
Zhvillimi i mbrëmësores së lutjes për paqe në Siri e në botës, që do të zgjasë katër orë nga 19 deri në 23, aktualisht është ende në fazën e papërgatitjes nga mjeshtri i kremtimeve liturgjike papnore, imzot Guido Marini. Momenti qendror i kësaj lutjeje për paqe, shpjegoi zëdhënësi atë Lombardi, do të jenë Rruzarja e Shenjtë, adhurimi i të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, bekimi, e këndej një meditim i rastit nga Papa Françesku. Gjatë kësaj mbrëmjeje do të ketë edhe mundësi rrëfimi për ata besimtarë që duan të pajtohen me Hyjin e të afërmin.







All the contents on this site are copyrighted ©.