2013-09-02 18:02:05

Papa Françesku takohet me anëtarë të Kongresit Botëror të Judenjve: impenjim i përbashkët për dialogun e për paqen


“Krerët e botës duhet të bëjnë gjithçka për të shmangur luftën”: kështu tha Papa Françesku gjatë takimit të paradites me një delegacion të Kongresit Botëror të Judenjve, kryesuar nga Ronald S. Lauder. Në komunikatën e organizatës hebraike me bazë në SHBA-të nënvizohet se Ati i Shenjtë e quajti të papranueshme vrasjen e njerëzve në vendin arab dhe foli kundër antisemitizmit. Gjithashtu, gjatë takimit, të dyja palët u morën vesh për mënyrën e kundërshtimit të sulmeve ndaj pakicave fetare, si për shembull, kundër të krishterëve koptë në Egjipt, si edhe për impenjimin e përbashkët në favor të paqes.
Presidenti Lauder, shton nota, nënvizoi se Papa Françesku u ka dhënë një impuls të ri marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e hebrenjve. Takimi i sotëm u zhvillua me rastin e festës së Vitit të Ri 5774 për hebrenjtë e të gjithë botës. Papa uroi në hebraisht “Shana Tova”, duke i kërkuar presidentit të Kongresit t’ua përçojë atë të gjithë hebrenjve, kudo që ndodhen.
Kongresi Botëror i Judenjve përfaqëson bashkësitë hebraike të njëqind vendeve. I themeluar në vitin 1936, organizmi impenjohet veçanërisht në dialogun ndërfetar, sidomos me Kishën Katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.