2013-09-02 16:22:08

Papa do të presë në audiencë Katolikosin e Kishës ortodokse siro-malankareze


Më 5 shtator, Katolikosi i Kishës ortodokse siro-malankareze me bazë në Indi, Moran Baselios Marthoma Paulose II do të vijë për vizitë në Vatikan, ku do të pritet nga Papa Françesku. Vizita është pjesë e takimeve, që do të mbajë Katolikosi me besimtarët e këtij riti në Evropë. Pas Papës, ai do të lutet para Varrit të Shën Pjetrit Apostull dhe do të ketë një takim në Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve.
Kisha ortodokse malankareze ndahet në dy bashkësi: Kisha siro-ortodokse malankareze, që varet nga Patriku siro-ortodoks i Antiokisë dhe, Kisha ortodokse siro-malankareze, autonome, që kryesohet nga Moran Baselios Marthoma Paulose II. Sot, kjo Kishë ka rreth 2.5 milion besimtarë, të shpërndarë në 30 dioqeza, në të cilat shërbejnë 33 ipeshkvij e mëse 1700 meshtarë.
Mbahet mend e pati rëndësi të madhe takimi i të Lumit Gjon Pali II me Katolikosin Moran Mar Baselios Marthoma Mathews I, në vitin 1983 në Romë e, në vitin 1986 në Indi. Në atë rast, u themelua Komisioni i përzier ndërkombëtar për dialogun ndërmjet dy Kishave. Fryt i rëndësishëm i punës së tij, është pa dyshim Deklarata kristologjike e përbashkët, nënshkruar në vitin 1990. Që nga viti 1989, Kisha Katolike bën takime të përvitshme në Kerala të Indisë, si me Kishën siro-ortodokse malankareze, ashtu edhe me Kishën ortodokse siro-malankareze. Dialogu ka të bëjë me historinë e Kishës në Indi, me ekleziologjinë dhe me dëshminë e përbashkët të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.