2013-09-02 15:46:14

Mesha e Papës në Shtëpinë e Shën Martës: “Mos e vrit të afërmin me fjalë, kurrë”


Aty ku është Zoti nuk ka urrejtje, zili e xhelozi e nuk ekzistojnë ato thashetheme, që i vrasin me fjalë vëllezërit tanë: kështu tha Papa Françesku, sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, ku rifilloi kremtimin e meshëve të mëngjesit me grupet e punonjësve, pas pushimeve verore.
Takimi i Jezusit me banorët e Nazaretit, siç tregohet në Ungjillin sipas Lukës në liturgjinë e sotme, ishte në qendër të homelisë së Papës. Nazarenët e admirojnë Jezusin, vërejti Ati i Shenjtë, por presin prej Tij gjëra të jashtëzakonshme, ndonjë mrekulli, ndonjë spektakël, që të besojnë në Të. Jezusi u thotë se në të vërtetë, nuk kanë fe e ata zemërohen me Të. E shtyjnë Jezusin deri në cep të greminës për ta hedhur poshtë, për ta vrarë:
“Pa shikoni pak si ndryshoi puna: e filluan me bukuri, me admirim dhe po e përfundonin me një krim. Donin ta vrisnin Jezusin. Kjo, për zhelozi, për zili, për këto gjëra… E nuk është diçka, që ndodhi vetëm dymijë vjet më parë: ndodh çdo ditë në zemrat tona, në bashkësitë tona. Kur në bashkësi thuhet: ‘Sa mirë ky, që erdhi tek ne!’, flitet mirë ditën e parë, të dytën, por jo më shumë. Ditën e tretë fillojnë thashethemet e ta rrjepin lëkurën”.
E ashtu si nazarenët deshën ta vrisnin Jezusin, edhe ne, me fjalë, me gjuhën tonë si nepërkë, duam t’i vrasim të tjerët, tha Papa:
“Ata që në bashkësi bëjnë thashetheme për vëllezërit, për anëtarët e bashkësisë, duan të vrasin: njëlloj si me Jezusin! Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, kapitulli III, verseti 15, na thotë kështu: ‘Ai që në zemër të vet e urren të afërmin, është vrasës’. Ne jemi mësuar me fjalë, me thashetheme. Sa herë bashkësitë tona, edhe vetë familja është një ferr, ku kryhet krimi i vrasjes së vëllait e motrës me anë të gjuhës!”
Kështu shkatërrohet bashkësia, paralajmëroi Papa Françesku. Zilia na fut djallin në zemër, na bën të flasim keq për njëri-tjetrin e kështu e shkatërron lidhjen ndërmjet nesh. Këtyre ditëve, kujtoi Ati i Shenjtë gjendjen në Siri e në botë, po flasim shumë për paqen. Shohim viktimat e armëve, por duhet të mendojmë edhe për armët, që përdorim përditë, si gjuha, fjalët, thashethemet. Në vend të tyre, duhet të mendojmë si të jetojmë me Zotin, si të jetojmë si të krishterë të mirë:
“Që të kemi paqe në një bashkësi, në një familje, në një vend, në të gjithë botën, duhet t’ia fillojmë kështu: të jetojmë me Zotin. E aty ku është Zoti nuk ka zili, nuk ka kriminalitet, nuk ka urrejtje, nuk ka xhelozi. Ka vëllazërim. T’i lutemi për këtë Hyjit: të mos e vrasim kurrë të afërmin me fjalë, të jetojmë me Zotin, ashtu siç do të jemi në Qiell. Ashtu qoftë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.