Dom Simon Filipaj, përkthyesi i Biblës në gjuhën shqipe, në përvjetor të vdekjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 2 shtator kujtojmë përvjetorin e vdekjes
së meshtarit shqiptar të kryedioqezës së Tivarit, mons. Simon Filipajt, përkthyesin
e Biblës së plotë në gjuhën shqipe. Figurë poliedrike, dom Simon Filipaj me veprimtarinë
e tij në fushën biblike e teologjike, ka lënë në gjuhën shqipe kryeveprën botërore,
Librin e Shenjtë, Biblën. Në përkthimin e plotë të Biblës, dom Simon Filipaj punoi
tërë jetën me një përkushtim, dashuri e urti të jashtëzakonshme duke shkri të gjitha
energjitë e dhantitë që Zoti i kishte dhuruar. Krahas veprimtarisë meshtarake në
famullinë kishtare që iu kishte besuar, dom Simoni punoi edhe në përkthimin shqip
të librave liturgjike nga meshari romak, leksionarët, ritualët e tjerë. Kështu me
Biblën në gjuhën shqipe e vepra tjera, dom Simon Filipaj dha një kontribut të dorës
së parë për kulturën ndër shqiptarë. Në arkivin tonë të Radio Vatikanit ruajmë
zërin e dom Simon Filipajt, e në mënyrë të posaçme dëshminë e tij dhënë menjëherë
pas njërit nga momentet më të rëndësishme e të lumtura të jetës së tij: takimin
që pati me Papën Gjon Palin II në Vatikan më 10 tetor të vitit 1994, me të cilin
rast i shoqëruar nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirditën,
dom Simon Filipaj i dhuroi personalisht Atit të Shenjtë kopjen e Biblës në gjuhën
shqipe. E Papa Gjon Pali II me Biblën në gjuhën shqipe në dorë, duke përgëzuar
dom Simonin për punën kolosale që kishte bërë i tha: “Me përkthimin e Biblës në gjuhën
shqipe e radhite popullin tënd shqiptar ndër popujt e mëdhenj të qytetëruar, duke
ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë dhe fisnikërinë me të cilën
është dalluar përherë populli shqiptar”. Fjale këto, atë ditë të paharrueshme, pata
privilegjin ti dëgjoja drejtpërdrejt nga goja e Papës, tash të Lumit Gjon Palit II
edhe unë, si përgjegjës i programit shqip të Radio Vatikanit. E ende sot, ruaj me
shumë përzemërsi ato çaste, vërtetë tejet prekëse e plot domethënie për Kishën katolike
shqiptare e për kulturën shqiptare në përgjithësi. (D.Gj.)