Papa emëron imzot Pietro Parolin Sekretar të ri të Shtetit të Vatikanit
Ati i Shenjtë Françesku ka pranuar, sipas Kan. 354 të Kodit të së Drejtës Kanonike
të Kishës, dorëheqjen e Kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit, të cilit
i ka kërkuar të mbetët në detyrë deri më 15 tetor 2013, me të gjitha autorizimet e
pushtetit që ka zyra e tillë. Në të njëjtën kohë Ati i Shenjtë ka emëruar Imzot Pietro
Parolin, Nunc Apostolik në Venezuelë, si Sekretar të ri të Shtetit. Ai do të marrë
detyrën në postin e ri më 15 tetor 2013. Me atë rast, Papa Françesku do të ketë
një Audiencë me Eprorët dhe Zyrtarët e Sekretarisë së Shtetit, për të falënderuar
publikisht kard. Bertone për shërbimin e tij besnik e bujar pranë Selisë së Shenjtë
dhe për të prezantuar Sekretarin e ri të Shtetit.
Papa pastaj ka konfirmuar
në zyrat përkatëse Imzot Giovani Angelo Becciu, Zëvendës për Çështje të Përgjithshme;
Imzot Dominique Mamberti, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet; Mons. Georg Ganswein,
Prefekt të Prefekturës së Shtëpisë Papnore; Imzot Peter Wells, Ndihmës për Çështje
të Përgjithshme; Imzot Antoine Camilleri, Zëvendës-Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
Sekretari
ri i Shtetit të Vatikanit e Selisë së Shenjtë, imzot Parolin ka lindur në Schiavon
në provincën e Vinçencës (Itali) më 17 janar 58 vjet më parë. Në moshën 10 vjeçare
mbeti jetimë prej babe. Në moshën 25 vjeç shugurohet meshtar e bëhet zëvendës-famullitar
në bashkësinë kishtare të Shenjtueshmës Trini në Schio. Në vitin 1983, hyri në Akademinë
Kishtare Papnore. Fillon shërbimin diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, e punon në
nunciaturën apostolike të Nigerisë e të Meksikos. Pastaj kthehet në Romë ku në vitin
2001 emërohet zëvendës-sekretar i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet, duke u marrë
në mënyrë të veçantë me marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Vendeve aziatike,
posaçërisht me Vietnamin e Kinën, si dhe duke ofruar një kontribut themelor në aderimin
e Vatikanit në Traktatin e jo përhapjes së armëve bërthamore. Gjithnjë në periudhën
e kësaj përgjegjësie pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, për Marrëdhëniet me
Shtetet, imzot Parolin u njoh nga afër edhe me realitetin e Kishës ndër shqiptarë
si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e vende tjera. Në vitin 2009 emërohet nunc
apostolik në Venezuelë. Më 12 shtator 2009 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan,
shugurohet ipeshkëv nga Papa Benedikti XVI.