Djaloshi që sapo foli, është njëzet e gjashtë vjeç, por megjithatë kërkon një histori,
ashtu si kërkojnë fëmijët një përrallë, para se t’i zërë gjumi. Duhet pranuar se historitë
e imzot Gjikës përhapen në qelinë e ngushtë të burgut rumun, si të ishin një fllad
i freskët. Ndërsa ndjek fillin e tregimit të ipeshkvit plak, djaloshi i ri e harron
vendin ku ndodhet, rojet që e rrethojnë, muret, torturat... Arratiset nga ai vend.
Me mend, natyrisht. Burgjet rumune janë përplot me të burgosur politikë. Shumë
prej tyre, tepër të rinj, nuk e dinë fare ç’i pret. Por ata që kanë fatin të jenë
pranë imzot Gikës, harrojnë gjithçka, sapo ipeshkvi plak nis të tregojë një histori
të re. E ai nuk shterron kurrë. Në vitin 1948 imzot Gjika pati mundësi të ikte
në mërgim, duke ndjekur mbretin Mikel. Por nuk iku. Deshi të rrinte pranë atyre, që
e patën kundërshtuar, përkrah tij, nazizmin një here, e komunizmin tani. Ndonëse e
dinte se heret a vonë e priste burgu. Një meshtar katolik, besnik i Papës, nuk u pëlqen
asfare komunistëve. E parashikimi i tij vërtetohet shumë shpejt. Më 18 nëntor 1952
arrestohet e dënohet me tri vjet burgim. Ndryshe nga shokët e tij të mjerimit, i përket
një breznie, që nuk njohu vetëm tmerret e nazizmit e të komunizmit. Ai rrjedh nga
një familje e pasur, ka jetuar në oborrin mbretëror, ka shtegtuar shumë, ka shkelur
në rrugët e Parisit, të Vjenës.... Tregimet e tij i zhytin të rinjtë në ëndërrime.
E natyrisht ipeshkvi nuk harron kurrë t’u flasë në radhë të parë për Zotin. Vladimir
Gjika u shugurua meshtar në Francë, në vitin 1923. Nëna e tij ishte franceze. E ishte
pikërisht ajo që e njohu me Parisin, me kulturën e kryeqytetit të madh, me intelektualët
e tij… e edhe me të varfërit e tij. Meshtari mënjanë ndiqte shoqërinë e lartë, në
anë tjetër merrej me nevojtarët, duke mbetur tërë jetën njeri krejt i thjeshtë, si
gjithë ata që kanë kulturë të vërtetë. Kur shpërthen Lufta II Botërore, Vladimiri
është në Bukuresht, në Rumani. Lufton kundër nazizmit e u hap sytë shumë të rinjve,
të gënjyer nga fjalimet e Hitlerit. Më pas ngre zërin kundër komunizmit dhe e kritikon
ashpër këtë ideologji ekstremiste. E ja, tani ndodhet në burg. Ata që e njohën
imzot Gikën në burg, thonë se ia dolën t’i bëjnë ballë mundimeve të qelisë vetëm falë
atij, tregimeve të tij, mësimeve të tij për Zotin. Deri sa vdiq, më 17 maj 1954, ipeshkvi
plak vijoi të tregonte histori, të cilat i mbajtën gjallë ata që i dëgjonin.