2013-08-30 13:45:26

Siri. Patriku Tual: “Me çfarë autorizimi sulmohet vendi?”


Thirrje për maturi, për hir të stabilitetit në të gjithë zonën: për këtë ngrihet zëri i imzot Fuad Tual, patrik latin i Jeruzalemit, në atmosferën e një sulmi të mundshëm ushtarak perëndimor kundër regjimit sirian, që akuzohet për përdorimin e armëve kimike në luftën kundër rebelëve. Në një notë, shpërndarë nga patriarkati e rimarrë nga agjencia Sir, imzot Tual i larton lutjen Shpirtit Shenjt për t’i shndritur zemrat e atyre, që kanë në dorë fatet e popullsive. E u drejtohet edhe këtyre prijësve, të cilëve u kujton aspektin njerëzor, para se të marrin vendime. Duke vërejtur se në Qendrat izraelite të shpërndarjes së maskave kundërgaz ka nisur lëvizja e se banorët e Lindjes së Mesme po mbledhin ushqime e krijojnë rezerva, Patriku shqetësohet seriozisht për rrezikun e shkallëzimit të dhunës në zonë. “Pse të deklarohet lufta, kur specialistët e OKB-së nuk i kanë dorëzuar akoma përfundimet mbi natyrën kimike të sulmit e mbi identitetin e atyre, që e organizuan? Jemi, kujton patriku Tual, para një logjike, që të kujton përgatitjen e luftës në Irak, më 2003, komedinë me armë të shfarosjes në masë, në një vend, ku këto armë nuk u gjetën, pse nuk ishin. Po ishin, s’ishin, ata që e kishin përgatitur sulmin, nuk u zmbrapsën: e filluan, me pasojat e njohura tragjike për gjithë zonën. E edhe sot ky vend vijon të jetë në një situatë jashtëzakonisht tragjike. Në notë, patriku bën disa pyetje kritike: “Si mund të merret vendim për të sulmuar një vend? Me çfarë autorizimi? Sigurisht presidenti amerikan ka pushtet të nisë vetëm sulme ajrore mbi Sirinë, po Lidhja Arabe e OKB-ja, si do ta presin një sulm të tillë? Siria nuk ka menduar kurrë t’i sulmojë miqtë tanë të perëndimit e të SHBA-së. Po ata, mbi çfarë ligji mbështeten, për të nisur sulmin kundër saj? Kush i emëroi xhandarë të demokracisë në Lindjen e Mesme?”. Padi e pastërt: “Kush po mendon për pasojat e kësaj lufte, për Sirinë e vendet fqinje? Apo u duhen të vdekur të tjerë, përveç 100 mijëve? Duhen dëgjuar të gjithë shpirtrat, që jetojnë në Siri e që bërtasin në kupë të qiellit nga dhimbja, të rrënuar nga dy vjet lufte. A menduan, këta zotërinjtë e pushtetshëm, se edhe këtu ka nëna, se kanë fëmijë e se edhe fëmijët e tyre janë të pafajshëm, si gjithë fëmijët? E vendet, që përgatiten ta sulmojnë Sirinë, a mendojnë se edhe qytetarët e tyre në mbarë botën, ambasadat e konsullatat e tyre, mund të kthehen në shënjestër atentatesh, sepse nga sulmi lind sulmi? Për tërë këto arsye, patriku Tual i fton të gjithë për maturi, duke i uruar paqe e siguri gjithë kësaj zone të botës, që ka vuajtur edhe tepër. Si të krishterë të Tokës së Shenjtë, thekson, kujtojmë, në lutjet tona, sirianët, vuajtjet e të cilëve i prekim me dorë, kur vijnë të kërkojnë strehë në dioqezën tonë të Jordanisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.