Uashingtoni i sigurt për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Asadit. Patriku
Gregori III e dënon një sulm të mundshëm të SHBA-së
Atmosferë e nderë pritjeje, për krizën siriane. Pasi mbrëmë u mblodh, në Uashington,
Këshilli për Sigurinë Kombëtare e në Londër, qeveria u thirr me urgjencë, burime të
shtypit flasin për mundësinë e një sulmi ushtarak, ndoshta duke nisur që nesër. Pikërisht
nesër shërbimi sekret amerikan duhet të bëjë të njohur Raportin, që do të provonte
përgjegjësinë e regjimit të Asadit në përdorimin e armëve kimike më 21 gusht. Të
dëgjojmë thirrjen e Papës për paqe në Siri! Nëse vendet perëndimore duan të krijojnë
një demokraci të vërtetë, duhet ta bëjnë këtë me pajtim, me dialog ndërmjet të krishterëve
e myslimanëve, e jo me armë. Sulmi i planifikuar nga SHBA-së është akt kriminal, që
do të shkatojë viktima të reja , përveç mijërave e mijërave që humbën jetën këto dy
vjet lufte. Kështu pohon, në agjencinë AziaNjuz, Gregori III Laham, Patrik greko-katolik
i Antiokisë e i mbarë Lindjes, i Melkitëve të Aleksandrisë e të Jeruzalemit. Thirrja
e tij vjen pak orë pasi zëra të ndryshme nisën të flasin për mundësinë e një sulmi
të menjëhershëm të SHBA-së kundër Damaskut. Ky sulm mbështetet edhe nga vende të tjera:
Franca, Britania e Madhe, Turqia e Lidhja Arabe. Këto ditë prelati shpërndau në
të gjitha famullitë e Sirisë, thirrjen e Papës. Kujtojmë se të dielën e kaluar,
në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa pohoi se ndjek me vuajtje e shqetësim të thellë
situatën në Siri, ku, pas më se dy vjet lufte civile, kanë gjetur vdekjen rreth
100 mijë vetë, nga të cilët, 7 mijë fëmijë. E këtyre shifrave të frikshme u duhen
shtuar edhe 4 milionë refugjatë e të shpërngulur nga vatrat e veta, një e pesta e
gjithë popullsisë siriane. Prej këndej Ati i Shenjtë ngriti zërin, që Gregori III
Laham u kërkon të gjithëve ta dëgjojnë: “Dhuna në rritje, në një luftë ndërmjet
vëllezërve, e shoqëruar me shtimin e vazhdueshëm të masakrave e të krimeve rrënqethëse,
që të gjithë patëm rastin t’i shikojmë në pamjet e këtyre ditëve, më shtyn edhe
një herë të ngre me forcë zërin që të marrë fund vringëllima e armëve. Nuk janë përleshjet,
ata që i hapin rrugën shpresës për zgjidhjen e problemeve, por aftësia për takim e
dialog”. Nga thellësia e zemrës, Papa u shprehu afërsinë, me lutje e solidaritet,
të gjitha viktimave të këtij konflikti, të gjithë atyre, që vuajnë, posaçërisht fëmijëve,
duke i ftuar ta mbajnë gjithnjë ndezur shpresën për paqe: “I bëj thirrje bashkësisë
ndërkombëtare të tregohet më e ndjeshme përballë kësaj situate tragjike e të impenjohet
me fund për ta ndihmuar Kombin e dashur sirian të gjejë rrugën për të dalë nga kjo
luftë, që mbjell vetëm shkatërrim e vdekje”. Në përfundim Papa i ftoi të pranishmit
të kërkojnë ndërmjetësimin e Mbretëreshës së Paqes, për paqe në mbarë botën. Të
lutemi me Atin e Shenjtë e me ata që bëhen gati të largohen nga trojet e veta, duke
mos e duruar më këtë atmosferë. Po ky, sipas Patrikut, do të ishte rrezik jo vetëm
për Sirinë, por për mbarë Evropën. Prania jonë, shton, është kusht themelor për të
pasur një islam të moderuar, që ekziston falë të krishterëve. Nëse ne ikim, në Siri
nuk do të ketë kurrfarë demokracie, gjë që e mendojnë edhe myslimanët. Çdo ditë, shpjegon,
në Siri hyjnë ekstermistë islamikë të ardhur nga mbarë bota me një qëllim të vetëm:
të vrasin! E asnjë vend nuk ka luajtur as gishtin për t’i ndaluar. Madje SHBA-së kanë
vendosur të dërgojnë edhe më shumë armë! E sulmi i tyre do të shkaktojë jo më pak
të vdekur, sesa armët kimike. Do të jetë një Irak i ri!Patriku i drejton botës, që
mendon për sulme, pyetjet e dëshpëruara: “Kush janë ata, që e katandisën Sirinë në
këtë gjendje të mjeruar? Kush e çoi në këtë udhë pa kthim? Kush e krijoi këtë ferr,
në të cilin po jeton popullsia?