Shën Agostinin na mëson se Zoti është përgjigjja e vetme e pikëpyetjeve tona
Kisha kujton sot Shën Agostinin. Jeta e vepra e tij na mësojnë se Zoti është përgjigjja
e vetme e shqetësimeve tona. Sot me 28 gusht kalendari kishtar përkujton Shën
Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, Autor i shkrimeve të shumta, është
ndër Etërit e Kishës që më së miri ka shpjeguar parimet e dogmat e krishterimit. Jashtëzakonisht
të njohura janë Rrëfimet e tij, një autobiografi e veçantë në të cilën shenjti afrikan
rrëfen përshkimin e mundimshëm e plot vuajtje drejt kthimit tek Zoti. Shën Agostini
lindi në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri, më 13 nëntor të
vitit 354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma, Monika mori edukatë të krishterë,
por pasi lexoi Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste. Më 387 shkoi në
Milano, ku njohu Shën Ambrozin. Takimi me këtë ipeshkëv pati rëndësi vendimtare për
kthesën e madhe: Agostini mori nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit. U rikthye
në Afrikë me dëshirën për të themeluar një bashkësi murgare. Pas vdekjes së nënës,
shkoi në Iponë, ku u shugurua meshtar e ipeshkëv. Veprat e tij teologjike, mistike,
filozofike e polemike – pasqyrojnë luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër herezive,
me të cilat u ndesh deri sa vdiq, më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76 vjeçare. Këto
vepra, ndërmjet të cilave kujtojmë “Rrëfimet” dhe ‘Qyteti i Zotit’, jo vetëm që i
dhanë titullin Doktor i Kishës, por mbeten edhe sot e kësaj dite thellësisht aktuale.
I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!. Për
këtë aktualitet në vitin 2008 foli Papa Benedikti XVI, duke i kushtuar Shën Agostinit
katër katekizma gjatë audiencave të përgjithshme (janar-shkurt 2008). Papa Benedikti
XVI e quan Shën Agostinin, model ideal për lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, që
na lë të kuptojmë se kush nuk dëshiron t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Ai
kërkonte një fe, që të ishte shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën,
e largoi, ende të parritur, nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma
- por njëkohësisht e bëri të mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek
vetë e vërteta e ia shpjegonin zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot
që jep (dhuron) jetë. Ky kërkim – shpjegon Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin
e Iponës, në sintezën ndërmjet fesë e arsyes. “Këto dy përmasa, fe e arsye,
nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por
duhet të shkojnë krah për krah. Siç shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën
Agostini në veprën ‘Contra Academicos”, fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja
e Hyjit”. “Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane,
që përmbledhin pikarritjen e Atit të Kishës. “Besimi të hap udhën për të hyrë
në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth
për të gjetur kështu Zotin e për të besuar”. Harmonia ndërmjet fesë e arsyes
– vijon Papa Ratcinger, duke folur për Shën Agostinin - na bind sidomos se Hyji nuk
është larg, përkundrazi, është fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe
pranë arsyes së tij: “Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze,
mund të njihet e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes
– pohon Agostini – por ktheju tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta;
e në se mendon se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish
atje ku ndizet drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’
(Rrëfimet), autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të
gjejë paqe vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji
është largim nga vevetja”. Papa Benedikti XVI kujton edhe reflektimet e mëdha
të Shën Agostinit për jetën, duke nënvizuar posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës
për njeriun: “Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë,
enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë
se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta
gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja,
tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”. “Njeriu është qenie shoqërore
për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e Shën Agostinit ‘Qyteti
i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot – na kujton Papa Ratcinger - duke theksuar atë
që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti ai që e shpëton njeriun, Ai, i
vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Papa Benedikti XVI flet
edhe për konceptin e Kishës në vizionin agostinian, që e quan Krishtin krye e ne,
gjymtyrë të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit e shtëpia e Hyjit’. E kujtojmë
se pikërisht kësaj teme i riu Jozef Racinger, në vitin 1953, i kushtoi tezën e doktoratit
në teologji. Ndërsa sipas Papës Vojtila, Agostini i mëson njeriut të sotëm se shpresa
për ta gjetur të vërtetën ekziston.