2013-08-28 16:41:58

Kardinali Groholevski në Seul: edukimi si rrugë për ungjillëzimin në Azi


Të ngulmohet përsëri në edukimin dhe në formimin e klerit, parë si rrugë për ungjillëzimin e kombeve aziatike. Ky orientim për ardhmërinë e Kishës koreane, është fryt i takimit të kryeipeshkvit të Seulit, imzot Jeom Soo-jung me kardinalin Zenon Groholevski, prefekt i Kongregatës për Edukimin katolik, këto ditë për vizitë në Korenë e Jugut, për të marrë pjesë në Konferencën e Shoqatave të Kolegjeve dhe Universiteteve Katolike në Juglindjen aziatike e në Azinë lindore (Aseaccu), që u mbajt pranë universitetit katolik në Seul. Siç njofton agjencia Fides, kardinali Groholevski shprehu habinë e tij, kur u njoh nga afër me kryedioqezën shumë të madhe të Seulit e, prej këndej, pohoi se me 400 seminaristët e seminareve të mëdha, Seuli ka një rol vërtet të rëndësishëm në ardhmërinë e Kishës në Azi. Nuk duhet harruar kurrë, shtoi Hirësia e Tij, se ardhmëria e Kishës katolike varet nga cilësia e meshtarëve. Kryeipeshkvi i Seulit, njëmendjeje me kardinalin, shtoi se kryedioqeza e Seulit është e gatshme ta ndihmojë jo vetëm Kishën koreane, por edhe mbarë Kishat e tjera, që vuajnë e kanë nevojë. Do të bëjmë gjithçka mundemi për ta ndihmuar ungjillëzimin e Kishës aziatike, shtoi. Kardinali Groholevski , duke u interesuar edhe për udhën e e përshkuar nga Kisha koreane, theksoi se historia e krishterimit në Kore, është histori flijimi e martirizimi. Kisha nisi të lulëzojë falë përpjekjeve të laikëve. E ka një histori tejet të veçantë, që nuk mund të krahasohet me asnjë Kishë tjetër në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.