2013-08-28 16:38:29

Egjipt: Kishat e krishtera mbrojnë Imamin e Al Azharit nga sulmet e Erdoan


Sekretari i përgjithëm i Këshillit të Kishave të Krishtera të Egjiptit, Atë Bishoi Helmi, hodhi poshtë dhe dënoi, në emër të të krishterëve egjiptianë, deklaratat armiqësore drejtuar nga kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan kundër Ahmed Al Tajebit, Imam i madh i Universitetit të Al Azharit. “Për virtytet e imamit dhe shtatlartësinë e tij njerëzore, deklaroi atë Bishoi, dëshmon vetë historia e tij”. Të dielën e kaluar, gjatë një fjalimi në Universitetin e Rizës, kryeministri turk, duke folur për krizën egjiptiane e sulmoi rreptë Al Tajebin. “Kur e pashë shehun e Al Azhar në mes të golpistëve, mbeta krejt i zhgënjyer”, tha Erdoan, duke shtuar se “historia do t’i mallkojë njerëzit si ai, siç mallkoi, në të kaluarën, në Turqi, intelektualë e studiues të këtij kallëpi”. Në të njëjtin diskutim, njofton agjencia Fides, kryeministri turk akuzoi edhe Izraelin si dhe filozofin Bernard-Henri Levi, si frymëzues të situatës, që çoi në dorëheqjen e presidentit egjiptian Mohamed Morsi e të qeverisë së tij, të sunduar nga partitë islamiste. Imami Al Tajeb, vënë në shënjestër nga Erdoan, iu përgjigj sulmit, duke pohuar se kush e fyen Al Azharin, ka fyer të gjithë myslimanët e të gjithë egjiptianët”. E kjo, sepse Universiteti i Al Azharit është qendra kryesore fetare e islamit suunit. “Përballë krizës, pohon në agjencinë Fides ipeshkvi Adel Zaki, mëkëmbës apostolik i Aleksandrisë së Egjiptit, po vërehet një mirëkuptim bashkëpunmi ndërmjet Al Azharit dhe Këshillit të Kishave të Krishtera, organizëm, që synon të përfaqësojë qëndrimin e përbashkët të të krishterëve, përballë ngjarjeve shoqërore e politike aktuale.







All the contents on this site are copyrighted ©.