Me të Lumen Nënë Terezë, në kremtimin e ditëlindjes së 103-të
Kur ndokush kremton ditëlindje, që i kujton se i ka kaluar të njëqindtat, çuditet
e mediton, në mënyra nga më të ndryshmet, për rrugën e jetës, gjithnjë e shkurtër
për njeriun. Po ka nga ata, që vijojnë të ecin mes nesh e të na ftojnë të kremtojmë
ditëlindje qindravjeçare. Ndërmjet tyre, Nënë Tereza (Shkup, 26 gusht 1910- Kalkutë,
5 shtator 1997), që sot ka ditëlindjen e 103-të Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës
është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo
njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos,
e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe një virtyt
tjetër heroik i kësaj gruaje të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas vdekjes së
saj. E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë,
jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme
se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej
gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti "errësirë".
"Nata e dhimbshme" e shpirtit të saj, që nisi në kohën kur sapo kishte filluar
apostullimin mes të varfërve e vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi në një bashkim edhe
më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit,
në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin
e të varfërve. Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta
e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t'i printe Kongregatës së saj dhe t'u përgjigjej
nevojave të të varfërve e të Kishës. Në vitin 1997 motrat e Nënë Terezës ishin 4000,
të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars
të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve
të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali
II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke
pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore
e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit,
në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë.
Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme,
për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e
fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtzakonshme. Duke
iu përgjigjur thirrjes së Jezusit "Eja, të jesh drita ime!", u bë Misionare
e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare
e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit. Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak
të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj,
Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi
dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. E Nënë
Tereza, që sot e shikojmë me emocion të thellë në elter, të nderuar nga e gjithë bota,
na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni!”
E të mendosh se kjo Grua, më e madhja e shekullit të vet, e pati shkruar biografinë
e saj me këto pak fjalë:"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa
i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra
ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".