Lindja e Mesme. Atë Picabala: të krishterët e myslimanët nuk duhet ta humbasin shpresën
për paqe
Popujt e Lindjes së Mesme nuk duhet të lejojnë askënd t’ua rrëmbejë shpresën e paqes.
Ripohon me forcë fjalët e Papës Françesku, Rojtari i Tokës së Shenjtë, atë Pierbatista
Picabala, që nënvizon gëzimin me të cilin u pritën thirrjet e Papës për paqe,
e jo vetëm nga të krishterët, por edhe nga myslimanët, në të gjitha vendet e gjunjëzuara
nga lufta. Në mikrofonin e Radios sonë, tregon si jetohet, e shpesh, si mbijetohet,
në një kohë ngarkuar me kaq shumë vuajtje:
Përgjigje: - Ajo
që ndjejmë - ne jemi në kontakt gati të përditshëm nga pak në të gjithë territorin
– është frika, frikë e madhe, trishtim i thellë në zemrën e njerëzve, e edhe zemërim
për gjithçka po ndodh: është luftë, që e paguajnë me kokë njerëzit e thjeshtë, si
gjithnjë….
Pyetje: - Kujtojmë gratë, fëmijët, statistikat tronditëse,
që flasin për numrin e refugjatëve, të të vdekurve….
Përgjigje: -
Njerëzit nuk e duan këtë luftë, njerëzit duan thjesht të rrojnë në qetësi, në trojet
e veta, duan të jenë të lirë. Ndërsa shikojnë sesi lojërat e luftës për pushtet krijojnë
situata nga më të rëndat. Janë të shumtë, të vdekurit, e edhe më të shumtë refugjatët
në Liban e Jordani, por sidomos, refugjatët brenda Sirisë, më se dy milion, që jetojnë
në kushte të tmerrshme, duke krijuar një situatë shpërthyese në këndvështrimin shoqëror.
Pyetje:
- Në këto rrethana të vështira, duke pasur mirë parasysh se në çdo vend vërhet
një realitet i veçantë, ka edhe nga ata, që i fryjnë zjarrit të “ndeshjes ndërmjet
feve”, duke u përpjekur t’i manipulojnë. Ndërsa ngjarjet tregojnë se si të krishterët,
ashtu edhe myslimanët, janë kundër konfliktit, e edhe kundër çdo manipulimi….
Përgjigje:
- Shumë shpesh, kur flitet për Lindjen e Mesme, feja keqpërdoret, për të
fshehur të vërtetën. Në të vërtetë kemi të bëjmë me luftë për pushtet ndërmjet fraksioneve,
ndërmjet vendeve - vendeve të huaja – natyrisht, që duan të kontrollojnë rrugët e
transportit ose thjesht, të kenë më shumë pushtet mbi këto troje. Nuk janë as islami
e as krishterimi, që i ushqejnë këto luftëra kaq barbare.
Pyetje: -
Në këtë atmosferë, nuk mund të mos kujtojmë mesazhin e Papës për fundin e Ramazanit….
Përgjigje:
- Mbarë bota myslimane, botë tejet komplekse, e priti në mënyrë shumë pozitive
thirrjen e Papës; e edhe figurën e Papës e shikon me simpati, entuziazëm. E ky është
ogur i mirë. Duhet punuar në këtë fushë, domethënë, në fushën e takimit me realitetin
e territorit, me njerëzit e thjeshtë, duke u përpjekur për të shmangur çdo formë
manipulimi.
Pyetje: - Gjithsesi në territoret, që nuk gjejnë kurrë
paqe, të krishterë e myslimanë vijojnë të jetojnë bashkë, pavarësisht nga ajo, që
ngjet rreth tyre…
Përgjigje: - Po, jeta fiton mbi vdekjen
në të gjitha rastet, gjithnjë. Pamë kisha të rrënuara edhe në Egjipt, përveçse në
Siri; situata objektivisht të vështira, por kjo nuk duhet të na ndalojë. Kemi shumë
shembuj bashkëpunimi, ndihme e bashkëjetese historike, tradicionale ndërmjet dy bashkësive,
që duhet të vijojnë të ecin në këtë rrugë e të fitojnë mbi çdo konflikt e manipulim.
Pyetje:
- Një mendim për paqen?
Përgjigje: - Ajo që dëshiroj të
them u drejtohet sidomos njerëzve, që punojnë në territor, që besojnë akoma e janë
të bindur, për eksperiencë, se mund të jetohet bashkë, sepse shikojnë si jetohet bashkë,
duke i ftuar të mos e humbasin shpresën në lutjen e përbashkët, të gjejnë forcë për
të vijuar, pavarësisht nga të gjitha, për të qenë bashkë e për të dhënë dëshminë e
përbashkët të dashurisë së njeriut për njeriun, pavarësisht nga gjithsa u tha më sipër.