2013-08-25 14:22:42

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: të jesh i krishterë nuk është etiketë, por dëshmim i fesë në dashuri e drejtësi


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, para thirrjes për Sirinë, Papa mbajti një reflektim kushtuar Ungjillit të së dielës, në të cilin Jezusi, duke folur për shpëtimin e amshuar, të fton të hysh nëpër portën e ngushtë.
“Përpiquni të hyni nëpër portën e ngushtë”: kjo është përgjigjja e Jezusit, dhënë njeriut, i cili e pyet nëse janë shumë apo pak, ata që shëlbohen. Zoti, pohoi Papa, na tregon, kështu, rrugën e shëlbimit. Por, cila është porta, ku duhet të hyjmë?
“Kjo portë është vetë Jezusi (cfr Gjn 10,9). Ai është porta, shtegu, nëpër të cilin duhet shkelur, për të hyrë në amshim. Ai na prin kah Ati. E kjo portë, Jezusi, nuk mbyllet kurrë, është e hapur gjithnjë, për të gjithë, pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, pa asnjë privilegj. Sepse, e dini, Jezusi nuk përjashton askënd. Ndonjëri nga ju mund të më thotë: ‘Po, o Atë, unë sigurisht jam i përjashtuar, sepse jam mëkatar i madh: kam bërë gjithë të zezat në jetë...’. Jo, as ti nuk je i përjashtuar! Pikërisht për këtë, je i preferuar, sepse Jezusi e parapëlqen mëkatarin, gjithnjë. Për ta falur, për ta dashur! Jezusi po të pret për të të përqafuar, për të të dashur, për të të falur... Mos kij frikë: Ai po të pret. Nxito, merr zemër të hysh nëpër portën e Tij”.
Të gjithë, shtoi Ati i Shenjtë, janë të ftuar ta kapërcejnë këtë portë, ta kapërcejnë pragun e portës së fesë, të hyjnë në jetë e ta bëjnë të hyjë Krishtin në jetën tonë, që të na shndërrojë, të na përtërijë, të na dhurojë gëzimin e plotë e të pamort. Sot, vërejti më pas Ati i Shenjtë, kalojmë para shumë portash e të gjitha na ftojnë të hyjmë, duke na premtuar një lumturi, që zgjat një çast të vetëm, që avullohet, që nuk ka të ardhme. Prej këndej, ftesa e Papës Françesku:
“Dëshiroj të them me forcë: nuk duhet të kemi frikë ta kapërcejmë portën e besimit në Jezusin, ta lëmë të hyjë gjithnjë më shumë në jetën tonë, të dalim nga egoizmi, nga vetëmbyllja, nga indiferenca, për të shkuar drejt të tjerëve. Sepse Jezusi e ndriçon jetën tonë me dritën, që nuk shuhet më. Nuk është fishekzjarre, nuk është flash; jo! Është dritë e ëmbël, e qetë, që vijon gjithnjë e na jep paqe. Kështu është drita që takojmë, në se hyjmë përmes portës së Jezusit”.
Kjo e Jezusit, vijoi të shpjegojë Ati i Shenjtë, është portë e ngushtë, jo pse pas saj na pret dhoma e torturave, por sepse na kërkon t’ia hapim zemrën Atij, ta pranojmë se jemi mëkatarë, nevojtarë për shëlbimin e Tij, për dashurinë e Tij; të kemi përvujtërinë për ta pranuar mëshirën e Tij e ta lëshojmë veten në dorën e Tij, që të përtërin:
“Jezusi na thotë se të jesh i krishterë nuk do të thotë të kesh një ‘etiketë’. E unë po ju pyes; ju, a jeni të krisheterë etikete apo të vërtete? E secili të përgjigjet në zemër të vet, e? Kurrë të krishterë etikete! Të krishterë të vërtetë, të krishterë me gjithë zemër. Të jesh i krishterë domethënë ta jetosh e ta dëshmosh fenë në lutje, në vepra dashurie, në mbrojtjen e drejtësisë, të mirësisë. Nëpër portën e ngushtë, që është Krishti, duhet të kalojë e gjithë jeta jonë”.
Në përfundim Papa i kërkoi Virgjërës Mari ndihmë, që të gjithë të mund ta kapërcejnë portën e fesë e ta lëshojnë veten në dorë të Birit të Saj, për të na e shndërruar jetën tonë, ashtu si e shndërroi të Sajën e për t’ua çuar të gjithëve, gëzimin e Ungjillit.Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, drejtuar shtegtarëve, Papa, duke kujtuar se për shumëkënd këto ditë janë të fundmet e pushimeve verore, u uroi veronjësve kthim të qetë e plot forca të reja në jetën e përditshme, duke shikuar plot shpresë kah e ardhmja.







All the contents on this site are copyrighted ©.