2013-08-23 16:58:01

Të krishterët e Indisë përkujtojnë përvjetorin e pestë të pogromit kundër besimtarëve të Orisës. Shumica e përgjegjësve, të padënuar


Në praninë e masave të rrepta të sigurisë, bashkësia e krishterë e Kandahamalit në shtetin indian të Orisës, përkujtoi sot 5-vjetorin e fillimit të pogromit kundër besimtarëve. Duke nisur nga 25 gushti i vitit 2008 e deri në tetorin e atij viti, pas vrasjes së një lideri hinduist lokal nga një grup rebelësh maoistë, ekstremistët hinduistë akuzuan të krishterët, duke dhënë sinjalin për gjuetinë e shtrigave kundër të krishterëve, me vrasje, përdhunime, plaçkitje, shkatërrime shtëpish, kishash e strukturash të tjera. Bilanci i dhunës ishte dramatik: mëse 100 të vdekur (56, sipas qeverisë), mijëra të plagosur, 450 fshatra përfshirë në konflikt, mëse 5 mijë shtëpi të shkatërruara, 296 kisha të djegura e 36 kuvende, institute e salla fetare bërë rrafsh me tokën.
Mëse 50 mijë refugjatë e të shpërngulur nuk janë kthyer më në zonë. Pesë vjet nga ngjarjet, shumë probleme mbeten të pazgjidhura: që nga drejtësia e mohuar për viktimat, tek ngadalësia e rindërtimit të kishave e të shtëpive e tek pasiguria e jetës së të krishterëve. Megjithatë, bashkësia e krishterë vendosi ta kujtojë pogromin me një sërë nismash paqësore.
Sot u zhvillua një marrshim për të kërkuar më tepër siguri e drejtësi. Në të morën pjesë edhe eksponentë të shoqërisë civile e organizata për të drejtën e njeriut. Autoriteteve lokale iu paraqit një memorandum me kërkesat e manifestuesve. Por cilat janë statistikat? Nga 3000 denoncimet, as gjysma nuk janë pranuar nga policia e vetëm 824 janë konsideruar të vlefshme për fillimin e një procesi gjyqësor. Në 169 raste, të gjithë të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, sidomos pas kërcënimeve kundër dëshmitarëve të rëndësishëm, që janë tërhequr. Në 86 procese, gjykata i ka dënuar lehtë të akuzuarit e në 90 raste, vazhdojnë hetimet, duke e ulur kështu ndjeshëm, mundësinë për gjetur prova të sigurta. Edhe Gjykata e Lartë e Indisë e konsideron të papranueshme këtë situatë, prandaj në vjeshtën e vitit 2012, i pati dërguar një notë qeverisë, policisë dhe zyrave hetimore të Orisës për të kërkuar llogari për pafajshmërinë e shpallur kaq lehtë nga gjykatat.







All the contents on this site are copyrighted ©.