2013-08-22 13:25:19

“Shêjzat” e Ernest Koliqit e çështja e gjuhës shqipe!


Çështja e gjuhës shqipe në “Shêjzat” e Ernest Koliqit
Në vitin 1957 doli për herë të parë revista kulturore.
“Kjo e përkohëshme don të jét tryezë e lirë kuvendi burrnuer, të mbajtun brênda caqeve t’urtis e njerzis”
56 vjet më parë, pas një heshtjeje 4-vjeçare, qarkulloi në Romë numri i fundit i revistës në emigracion “Shêjzat” (Le pleiadi), numër përkujtimor kushtuar themeluesit të këtij organi, shkrimtarit Ernest Koliqi, me rastin e 75-vjetorit të lindjes (1903-1975) dhe 3-vjetorit të vdekjes.

Revista “Shejzat” ishte një e përkohshme kulturore, shoqërore, artistike me pronar Ernest Koliqin dhe kryeredaktor shkrimtarin e poetin Martin Camaj, i cili ishte kthyer në vitin 1956 nga Jugosllavia në Romë për të vazhduar studimet pasuniversitare. Ardhja e M.Camajt në Itali, sqaron redaksia, e trimëroi E. Koliqin për të botuar një revistë, pasi “Martin Camaj vinte në Romë i përgatitur shkencërisht në gjuhësi, si nxënës i Bariçit dhe i pajisun me veti të nalta letrare. Ai kishte botuar në Kosovë dy vepra letrare (“Një fyell nder male”, Prishtinë, 1953 dhe “Kanga e Vërrinit”, Prishtinë, 1954, T.O). Ky faktor dhe të tjerë ndikuan te Koliqi që të fillojë punën për nxjerrjen e revistës”.
Në këtë shkrim do të ndalemi vetëm në kontributin për gjuhën shqipe të kësaj reviste.
* * *
Revista “Shejzat” u botua në Romë nga një grup të mërguarish nga Shqipëria, me prirje letrare, gjuhësore dhe historike. Ata ishin intelektualë të njohur që kishin botuar edhe më parë në shtypin shqiptar të paraluftës. Duhet të përmendim këtu E. Koliqin, ideatorin e kësaj reviste, Martin Camajn, Karl Gurakuqin, Mustafa Krujën, Luigj Marleken, Zef Valentinin, Tahir Kolgjinin, Daniel Gjeçajn etj. Këshilli drejtues përbëhej nga albanologë dhe filologë të dëgjuar, si: G. Grimm, G. Gradilone, C. Haebler, H.J. Kissling, A. Schmaus etj.
Numri i parë i revistës qarkulloi në gusht të vitit 1957. Ajo vazhdoi pa ndërprerje për 18 vjet rresht (1957-1974), pa ruajtur periodicitetin e saj. Numri i fundit i përket vitit 1978, që shënon mbylljen përfundimisht të kësaj reviste.
Revista u hap me artikullin e redaksisë “Mbas udhëhekjes së ‘Shêjzavet’, e cila e konsideron botimin e këtij organi një detyrë intelektuale kundrejt atdheut”. Dhe në vazhdim, në mes të tjerash, shkruan: “Kjo e përkohëshme don të jét tryezë e lirë kuvendi burrnuer, të mbajtun brênda caqeve t’urtis e njerzis. Çdo shqiptar qi ká nji mendim fryt-dhânës për të shfaqun dhe din t’a shfaqi në shqipe të pastër, çdo intelektual qi lakmon të rrahi nji çashtje ditunore ase don të paraqesi prodhimet e veta letrare ka me gjetun vend në këto fletë t’ona…”
Shkrimet e përfshira në këtë organ kishin karakter problemor, njohës, informues, ishin kryesisht studime jo të gjata, artikuj, recensione, bibliografi, kronika etj., ku një pjesë e tyre kishin edhe karakter praktik, pasi mërgata shqiptare kishte nevojë për shkrime të një natyre të tillë, duke qenë se lidhjet me atdheun mëmë i kishte të shkëputura. Artikujt më të shumtë, që i ndeshim në këtë revistë, kanë qenë për problemet e letërsisë, krijime letrare dhe gjuhësore, që i kalojnë 600 shkrime me këtë tematikë. Për fushat e tjera të dijes ka pasur më pak botime.
Artikujt e studimet u bënë objekt i disa kumtesave dhe shkrimeve, kryesisht pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, që i ndeshim në organe të ndryshme të shtypit periodik dhe shkencor. Gjithashtu, disa nga bibliotekat shtetërore ose private filluan të pajisen me koleksionin e plotë të kësaj reviste dhe u botuan edhe dy bibliografi për këtë organ: njëra për artikujt e studimet për gjuhën dhe letërsinë shqipe nga M. Gero (2002) dhe më pas një bibliografi e plotë kronologjike nga Ë. Kamsi (2009).
* * *
Një ndër problemet e shoqërisë shqiptare pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë ka qenë çështja e gjuhës së përbashkët shqipe, pasi zgjidhja e alfabetit të njësuar kishte marrë fund më 1908, në Kongresin e Manastirit. Nuk kaluan shumë vite pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme, kur në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XX u mblodh Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918), që do të merrej, përveç çështjeve të tjera, edhe me gjuhën e përbashkët shqipe. Zgjidhja e kësaj çështjeje ishte një problem delikat, i kushtëzuar nga shumë faktorë politikë e shoqërorë, kulturorë dhe arsimorë. Me intelektualë të formuar, pjesa më e madhe nga fusha filologjike, Komisia Letrare Shqipe në Shkodër arriti në përfundimin se e folmja e Elbasanit “edhe ndën pikëpamjen e formavet, po sidomos ndën pikëpamjen e sintaksës asht si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes, duhet të zgjidhet si gjuhë shkrimi me ato rregulla orthografike që na duken të drejta dhe t’arsyeshme”. Kështu misët e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër përcaktuan një politikë gjuhësore për zgjidhjen e gjuhës së përbashkët, mbështetur në konvergimin e të dy dialekteve dhe të vendosjes së një standardi të vetëm gjuhësor. Diskutimi për këtë problem vazhdoi edhe më vonë, pasi kërkohej një zgjidhje sa më e drejtë dhe sa më e pranueshme. U aktivizuan për këtë çështje me shkrimet që botuan edhe organet e kohës.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, me ndërrimin e regjimit në Shqipëri u dhanë sinjalet e para se ku duhet të mbështetej gjuha e përbashkët shqipe, në cilin dialekt. Në vitin 1948 u botua “Orthografi e gjuhës shqipe”. Ky drejtshkrim botohej në gegërisht, ndikim i së kaluarës, duke dhënë trajtat e dy dialekteve: gegërisht dhe toskërisht. Ndërsa në botimin e vitit 1951 vihet re një prirje e kundërt, që me këtë kurs vazhdoi edhe në botimet e tjera të mëvonshme. Kështu, toskërishtja mori udhë deri në zgjidhjen përfundimtare që i dha Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.
Ky organ nuk është marrë ekskluzivisht me këtë çështje, por, përmes shkrimeve të ndryshme, janë dhënë disa konsiderata për këtë problem. Ata nuk pranojnë asnjë zgjidhje tjetër përveç përcaktimit nga Komisia Letrare Shqipe Shkodër. Zgjidhjet e dhëna nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 u kundërshtuan, gjë që vërehet që nga numri i parë deri te numri i fundit i revistës, ku mbizotërues ka qenë gegërishtja, me ndonjë përjashtim, kur autorët kanë qenë nga Shqipëria e Jugut. Për shumë vite ky ka qenë problemi më delikat i shoqërisë shqiptare, i cili është shfaqur edhe në disa shkrime të botuara pas vitit ‘90 të shekullit të kaluar. Revista “Shêjzat” u kushtoi disa shkrime edhe problemeve të tjera gjuhësore, si historisë së shkrimit shqip, fjalorëve të gjuhës sonë etj. Kështu, në numra të ndryshëm, ajo botoi mjaft të dhëna për fjalorët e gjuhës sonë, duke u marrë edhe me shpjegimin e drejtë ose jo të kuptimit të fjalëve. Revista kishte hapur një rubrikë, ku u jepte përgjigje pyetjeve të lexuesve të ndryshëm nga trojet shqiptare. Sipas Karl Gurakuqit, që ishte autori i shumë përgjigjeve, kjo rubrikë po shndërrohej në një letërkëmbim në mes “Shêjzavet” dhe lexuesve, ku trajtohen edhe çështje që po e prishnin gjuhën tonë, si vërshimi i fjalëve të huaja dhe lufta që duhej bërë kundër tyre. Ka edhe recensione, si për fjalorin e vitit 1954.
Ajo u bëri jehonë edhe botimeve dhe studimeve për veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut. Kështu, Luigj Marleka në shkrimin “Doli libri ma i vjetri i gjuhës shqipe”, vlerësonte botimin e kësaj vepre nga Namik Resuli në vitin 1958, që e konsideronte “Mesharin” si “veprën më të lartën e letërsisë kombëtare”, por Marleka e çonte edhe më tej idenë, duke theksuar se mbi gurin e themelit që Buzuku i vuni shqipes “Fishta ngrehi përmendoren e Shqipnisë”. Autori jep edhe versionin e tij për humbjen e “Mesharit” për shumë kohë. Botimi i “Mesharit” nga Namik Resuli kishte vlera, përveç transkriptimit me alfabetin e sotëm, përfshinte edhe tekstin origjinal që Resuli, sipas Marlekës, këtë vepër “e ka këndue mirë”. Edhe në ato raste kur ka pasur gabime, që i kanë rrëshqitur Buzukut, e Resuli u përpoq t’i ndreqte, por edhe Resulit i kishin shpëtuar disa prej tyre. Autori i shkrimit shënon se në cilat fjalë janë bërë këto gabime.
U botua edhe shkrimi i M.Camajt “Për vokalin nazal ke Buzuku”. Autori theksonte se “Meshari” i përket gegërishtes dhe për analizën e gjuhës duhet të nisemi nga ky dialekt. Gjuha e Buzukut, përveç tipareve më të veçanta të së folmes së vendlindjes, ai do të përdorte, sipas Camajt, fjalë e trajta të tilla nga treva e Gegërisë nga ai rrjedh. Dhe autori sillte shembuj të përzierjes së trajtave të ndryshme të së folmes së Veriut, kryesisht të viseve “anë e kand përqark të liqenit të Shkodrës tue përfshi edhe një pjesë të Malësisë së Madhe deri në Tivar”. Për Camajn, Buzuku duhet t’u përkasë këtyre zonave dhe për këtë sjell argumentet e tij, si fjalët e shumta me tiparet gjuhësore veneciane dalmatine dhe fjalët e huazuara nga sllavishtja. Për Camajn, këto dukuri zbulojnë se “krahina e Buzukut do të ketë qenë shumë afër sferes dalmatino-venete dhe sllave: gjeografikisht i përgjigjet hapsina çka merr prej liqenit të Shkodrës, tue përfshi një pjesë të Malsisë së Madhe deri në det”. Për autorin “nuk mund të caktohet kurrsesi vendlindja me një vërtetësi të madhe, pa hije dyshimi”.
Një përshkrim i hollësishëm i bëhet tezës së doktoratës së M. Camajt “Meshari i Gjon Buzukut…”. Tezat që shtroi autori në këtë studim, paraqesin interes edhe sot. Kështu, në kreun e tetë të doktoratës autori shqyrton gjuhën e veprës së Buzukut. Për pjesën e Ungjillit, Camaj mendonte se kjo nuk ishte përkthyer e gjitha nga Buzuku e “se ky ka pasë për duersh shqipnime ba nga latinishtja e nga greqishtja e kështu që Buzuku në shumë copa ka qenë ma tepër nji redaktues i mirë sesa përkthyes”. Autori mbështeste mendimin e E. Çabejt se në vepër kemi të bëjmë me një gjuhë kishtare të përbashkët, por meqenëse Buzuku ishte shpesh herë përpilues, gjuha e “Mesharit” nuk mund të quhej e nji shkrimtari të vetëm.
Revista, siç e theksuam, ishte një dialog pyetje e përgjigje me lexuesit. Ajo kishte hapur edhe një rubrikë të titulluar “Hulumtime gjuhësore”, mbajtur nga gjuhëtari Karl Gurakuqi. Kjo rubrikë pati jetëgjatësi, por edhe ndërprerje. Në këtë rubrikë u botuan shkrime me karakter gjuhësor dhe drejtshkrimor, më shumë me karakter praktik në përgjigje të pyetjeve që bënin shqiptarët e mërgimit redaksisë së revistës “Shêjzat”. Në shtjellimin e çështjeve gjuhësore nuk ka pasur ndonjë orientim të caktuar, pasi trajtimi bëhej nga pyetjet e lexuesve. Ajo është marrë më shumë me çështje morfologjike dhe leksikore, të cilat gjithashtu nuk kanë qenë të shumta. Këtu ndeshim edhe përgjigje me karakter drejtshkrimor, si ku bie theksi i fjalës Flamur, si të shkruajmë emrat e huaj etj.
Një vend të gjerë u ka kushtuar edhe çështjeve leksikore, ndonëse nuk ka një rubrikë të veçantë. Autor i shpjegimeve leksikore është Karl Gurakuqi, që vëmendjen e ka përqendruar te ndryshimi semantik i disa çifte fjalësh, që në pamje të parë duken si sinonime, por që për autorin janë fjalë me kuptim jo të njëjtë ose të përafërt. Ai ndalet edhe në disa sinonime që i konsideronte “pasuri e gjuhës”, pasi “përdorimi i tyne i jep bukuri shprehjes dhe nuk lë dyshim kuptimi… Nga përdorimi i natyrshëm dhe vevetishëm i sinonimeve njifet zotnimi i gjuhës, gjykohet përgatitja gjuhësore e shkrimtarit.”
Në këtë organ janë botuar edhe studime nga fusha leksikore. Kështu, Mustafa Kruja, në tre numra të revistës, me pseudonimin Shpend Bardhi, botoi artikullin “Mbi Fjalorin e Frangut të Bardhë të vitit 1635”. Në shkrimin e parë paraqet parathënien e fjalorit të Bardhit. Jepen sqarime që paraqesin interes për 93 fjalë, togfjalësha dhe fjali. Në shkrimin e dytë, autori bën fjalë se cilat janë tekstet shqip në fjalor. Ky fjalorth duhet të ishte thirrur në formë vocërrake, pasi ka nja 2300 fjalë shqipe në përkthim të 5000 fjalëve latine. Në shkrimin e tretë botoi “Proverbia et sententia Epirotarum”. M. Kruja jo vetëm që i botoi 113 proverbat, por bëri edhe sqarime, kryesisht gjuhësore për mjaft prej tyre. Shënimet e autorit janë shumë të hollësishme dhe rrokin të gjitha proverbat e fjalorit.

Fjalori i ribotuar nga E. Sedaj në Prishtinë, në vitin 1983, ndërsa me rastin e 400-vjetorit të Fjalorit, për herë të parë në Shqipëri kemi një botim anastatik nga “Botimet Çabej” (Tiranë, 2006), shoqëruar nga një parashtesë prej 17 faqesh nga Ledi Shamku-Shkreli. Është përfshirë edhe parathënia e M. Rokut, përkthyer nga Vili Kamsi.
Në katër numra të tjerë të revistës botohet artikulli i Tahir Kolgjinit me titull “Fjalët turkisht ose të ardhuna me anën e turkishtes, të përdoruna në ‘Lahuta e Malcis’”. Duhet theksuar se emigracioni që ishte larg shqipfolësit dhe kultura gjuhësore e shumë prej tyre të linte për të dëshiruar, i lindte nevoja dhe kërkesa për sqarime të tilla gjuhësore jo vetëm për disa sinonime të shqipes, por edhe për përdorimin e drejtë të disa fjalëve. Gurakuqi, përveç sqarimeve të tilla leksikore, ndalet edhe në disa dysi leksikore, duke i dhënë prioritet fjalës, që për autorin ishte më e drejtë. Dija e sotme disa nga ato shpjegime që ka bërë Gurakuqi i pranon, disa jo.
Revista u ka dhënë vend edhe disa prej figurave më emblematike, të trajtuara në këtë organ. Janë mbi 15 autorë që revista i ka bërë jehonë jetës dhe veprës së tyre, si M. Kruja, G. Petrota, Marko la Piana, A. Cirrincione, F. Konica, E. Koliqi, K. Kamsi, A. Xhuvani, M. Lambertz etj. Ajo ka botuar edhe mjaft studime me vlerë për kohën nga fusha e gjuhës shqipe, ku kryet e vendit në këtë rrafsh e zë M.Camaj, me shkrime të tilla, si: Shëndrrimi e përpunimi i thanjeve popullore në Lahutën e Malcis, Sprovë për gjetjen e kritereve në analizën e emnavet të vendbanimeve, studime për veprën e Buzukut etj., por janë botuar edhe shumë recensione për veprat e e I.Ajetit, E.Xhordanos, K.Taliavinit, A.Stipçeviçit, A.V.Desnickajas, M.Gabinskit, G.Grimit etj.

Revista për aq kohë sa qarkulloi pati jehonë në emigracion, pasi qe një ndër organet e rralla që botohej jashtë atdheut, në gjuhën shqipe. Albanologu M.Lamertc, duke lexuar këtë revistë, shkruante për një nga rubrikat e saj: “Hulumtimet të bahen përherë ma të vlefshme dhe që kërkimet tona shkencore në ‘Shêjzat’ që asht një revistë me brendi të pasun e të zgjedhun, të kenë suksese gjithnjë ma të mëdhaja”.
Ky organ hyri në historinë e publicistikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar si një botim me rëndësi dhe me vlerë për problemet e trajtuara me karakter letrar, historik, gjuhësor etj. në ata artikuj të përfshirë në këtë revistë, që u botua jashtë vendit tonë.
Prof. dr. Tomor Osmani
(E martë, 13 gusht, 2013 nga Panorama)







All the contents on this site are copyrighted ©.