Me 22 gusht kalendari kishtar kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë! Maria,
pjesëmarrëse në mbretërinë e lavdishme të Krishtit, propozohet nga Kisha si shembull
e shenjë shprese për të krishterët, të cilët të pajisur me dinjitetin mbretërore të
Zotërisë Jezus në Sakramentin e Pagëzimit, janë të thirrur të mbretërojnë përjetësisht
në amshim me Të. Pra, Festa e sotme e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë, që përkon
me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1955. Para reformimit të
kalendarit liturgjik, kremtohej më 31 maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë marian
në muajin që i kushtohet Zojës së Bekuar. Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës së Papërlyer
të Marisë. Pikërisht në këtë datë u caktua festa e Marisë Mbretëreshë, për t’i
afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës me lumturimin e saj përmes Ngjitjes në Qiell.
Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishtit Mbret, vjen nga një numër i madh titujsh,
të cilët shpjegohen nga Papa Piu XII në letrën enciklike ‘Ad Coeli Reginam’ (11 tetor
1954), duke u nisur nga titulli ‘Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të korpit mistik’,
për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’, që e bëjnë
pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror të Krishtit, por edhe të ndikimit të tij
jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit mistik që është Kisha e populli i Zotit.
Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’ (mbret), rrjedhin
nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh). Po ta shikosh me syrin njerëzor, është
e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues. Si mund ta shikosh si sundimtare, Atë
që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi gjithë jetën në fshehtësi e në
heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan Marinë pas ngjitjes së Krishtit
në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke u lutur. E urdhrat nuk i jep
ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është hallka që i mban këta
burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë me të Ngjallurin.
Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse
shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e
popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:
“T’ falem, Mbretneshë, e bukura! Mbi krye tand ndritë kunora, Që e popujve
edhe e kombeve Desht me vendue dora, Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave, Toka
ty t’ thotë se t’ don!”.