Papa një grupi studentësh japonezë: dialogu, bazuar mbi butësinë, sjell paqe
Takimi, ballafaqimi e dialogu janë mjete të njohjes e të paqes, nëse bazohen mbi butësinë.
Këtë theksoi Papa Françesku, duke u takuar, sot paradite, në Oborrin e Shën Damasit,
në Vatikan, me një grup studentësh e profesorësh të Kolegjit “Seibu Gauken Bunri Junior
High School” të Tokios. Mbyllja në vetvete nuk mund të ndihmojë kurrë për zhvillimin
kulturor. Papa Françesku që, gjatë DBR-së së Brazilit i kujtoi një të riu ëndrrën
e rinisë së tij për të shkuar misionar në Japoni, i shikon kulturat e tjera si mundësi
e vërtetë për zhvillimin mendor e kulturor: “Nëse ne izolohemi, mbyllemi
brenda vetes, mbetemi vetëm me atë, që kemi, nuk mund të rritemi kulturalisht. Ndërsa
po të shkojmë e të takohemi me njerëz të tjerë, me kultura të tjera, me mënyra të
tjera mendimi, me fe të tjera, dalim nga vetvetja e nisim atë aventurë aq të bukur,
që quhet dialog”. Dialogu, shtoi Ati i Shenjtë, ka rëndësi të madhe, sepse
në ballafaqimin me kulturat e tjera e edhe në ballafaqimin e shëndoshë me fe të tjera,
njeriu fiton pjekurinë, rritet. Ndërsa mbyllja në vetvete mund të bëhet burim keqkuptimesh
e grindjesh. Por, pyeti Papa Françesku, si duhet të sillemi, atëhere, për të realizuar
një dialog vërtet të frytshëm? “Zemërbutësisht. Me aftësi për t’i gjetur
njerëzit, për t’i gjetur kulturat me paqe. Me aftësinë për të bërë pyetje të urta:
E pse mendon kështu? Pse kjo kulturë bën kështu? T’i dëgjosh të tjerët, e pastaj të
flasësh. Më parë të dëgjosh, pastaj të flasësh. E kjo është butësi… E, a e dini një
gjë, një gjë shumë të rëndësishme? Pikërisht ky dialog bëhet burim i paqes”. Mungesa
e dialogut e mbyllja në vetvete, janë kurthe për mendjen dhe zemrën njerëzore: “Të
gjitha luftërat, të gjitha ndeshjet, të gjitha problemet, që mbeten të pazgjidhura,
që ndeshen, janë pasojë e mungesës së dialogut. Kur jemi para një problemi: dialog!
Kjo siguron paqen. E këtë ju uroj edhe juve në këtë shtegtim dialogu. Që të dini të
dialogoni… Si mendon kjo kulturë, sa e bukur kjo, kjo nuk më pëlqen, po gjithnjë duke
dialoguar… E kështu rritesh. Këtë ju uroj e ju uroj edhe udhë të mbarë në Romë”. Një
studente japoneze e falënderoi Papën: “Jemi të lumtur, që na u krijua mundësia
t’ju takojmë e të dëgjojmë fjalët Tuaja. Tani e tutje do ta vëmë në praktikë në jetën
tonë këtë, që dëgjuam nga Ju. Ju falënderojmë me gjithë zemër!”. Papa Françesku
iu përgjigj kësaj përshëndetjeje me fjalët: “Shumë falemdinderit! Po ti, ke
lindur në Napoli?E flet mirë italishten”… Studentët japonezë kënduan, më pas,
himnin e shkollës së tyre. Në përfundim të këngës, Papa shtoi: “Jeni këngëtarë
të mirë. Është parimi i reciprocitetit edhe në dialog: kur ndokush thotë diçka, tjetri
duhet të thotë diçka tjetër. Po unë nuk di të këndoj: nuk mundem!”.