2013-08-20 15:16:02

Në Iran, një i krishterë dënohet me 10 vjet burg për shpërndarjen e Ungjillit


Një iranian, i kthyer nga mysliman në të krishterë, u dënua me dhjetë vjet burg, për “krim kundër sigurisë së shtetit”. Faji i tij qe shpërndarja e Ungjillit. U akuzua për konspiracion dhe u dënua. Siç njofton agjencia katolike Fides, nga aktet gjyqësore, rezulton se burri, i njohur si Mustafa, ka deklaruar se e ka lënë islamin për të ndjekur krishterimin, prandaj e konsideron përhapjen e Ungjillit si detyrë feje.
Pasi mori Sakramentin e Pagëzimit, Mustafai e hapi shtëpinë për takime lutjesh, ku mblidheshin edhe besimtarë të tjerë të krishterë. Fatkeqësisht, kjo dhe shpërndarja e 12 mijë kopjeve të Ungjillit prej tij konsiderohet e paligjshme në vendin e ajatollahëve. Mustafati u arrestua në Teheran, më 27 dhjetor 2012, gjatë një takimi lutjeje, ku ndodheshin edhe 50 të krishterë të tjerë iranianë. Në banesën e tij, policia gjeti filma, libra, CD me përmbajtje të krishterë dhe mëse 6 mijë kopje të Ungjillit.
Nuk është hera e parë që të krishterët persekutohen në këtë mënyrë. Vetë Mustafai është arrestuar edhe në vitin 2009, kur u kthye në krishterim. Edhe në një rast tjetër, gjykata e një qyteti në jug të Teheranit, dënoi një të krishterë me një vit burg dhe dy vjet internim, me akuzën se kishte kryer veprimtari ungjillëzuese e kishte shpërndarë Biblën. Në motivacionin e vendimit lexohet qartë se i riu është “fajtor, sepse ka kryer akte kriminale duke mbajtur takime lutjeje në shtëpi e duke përhapur ndër të rinjtë dyshime për parimet islamike”. I riu u arrestua në mars 2013.
Siç dëshmojnë edhe organizata të ndryshme jo qeveritare, me orientim të krishterë, gjatë viteve të fundit, interesi në rritje i të rinjve iranianë ndaj krishterimit e kthimi nga islami në krishterim e ka bërë problematik këtë të fundit për autoritetet vendase. Në Teheran e në qytete të tjera janë mbyllur shumë kisha të gjuhës farsi, ndërsa është rritur presioni kundër të krishterëve të rinj. Ndoshta një shpresë e vogël vjen nga Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Hasan Rohani, i cili i ka kërkuar klerit islamik të mos e përziejë shtetin me jetën private të njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.