2013-08-20 16:33:48

Ish-presidenti pakistanez, Musharraf hidhet në gjyq për vrasjen e Benazir Butos


Ish-presidenti dhe kreu i Forcave të Armatosura të Pakistanit Pervez Musharraf u akuzua formalisht për vrasjen e Benazir Butos, ish-kryeministre dhe kryetare e opozitës, e cila humbi jetën në një atentat në dhjetor 2007, gjatë fushatës zgjedhore. Procesi filloi sot me leximin e akt-akuzës dhe përfaqëson një ngjarje tejet të rëndësishme për vendin e qeverisur për mëse 30 vjet nga ushtarakët. Folëm me drejtorin e agjencisë Azianjuz, atë Bernardo Çervelera:
Gjëja më kurioze është se Musharrafi erdhi vetë në Pakistan, muaj më parë, për të marrë pjesë në zgjedhje, duke shpresuar të hipë sërish në pushtet si president. Por, jo vetëm që nuk u konsiderua i denjë të marrë pjesë, por u mbyll në arrest shtëpiak, pasi kundër tij ka akuza të forta për shumë gjëra, që ndodhën gjatë presidencës së tij. Akuzat e fundit, janë ato për korrupsion dhe për pjesëmarrje në vrasjen e Benazir Butos.
Cila është atmosfera e fillimit të procesit kundër Musharrafit?
Të themi se është një gjendje, në të cilën Pakistani po përpiqet të transformohet. Ka tri forca: nga njëra anë, partia e Nauaz Sharifit, që po kërkon një islamizëm disi më delikat, por gjithnjë islamizëm… Forca tjetër është partia laike, që udhëhiqej nga Benazir Buto, e cila tani është pa liderë të rëndësishëm, ndërsa elementi i tretë është ushtria, që ka në dorë një pjesë të ekonomisë e merr ndihma nga SHBA-të për luftën kundër terrorizmit. Megjithatë, kohët e fundit është parë se në të vërtetë, ajo bën marrëveshje me talebanët, në mënyrë që të mos shqetësojnë njëri-tjetrin, duke i lënë ata të lirë të sundojnë në një pjesë të Pakistanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.