2013-08-19 15:47:23

Në Prishtinë fillon Seminari XXXII për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare


Sot më 19 gusht në Prishtinë filloi seminari i XXXII për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare, në të cilin marrin pjesë gjuhëtarë, punonjës shkencorë e akademik nga shumë vende të botës. Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit do të kenë rast të dëgjojnë të dhëna të reja në sesione shkencore të gjuhësisë, të letërsisë si dhe të ndjekin edhe kurse të gjuhës shqipe. Në hapjen e punimeve të Seminarit XXXII për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës, Ramë Buja. Në fjalën e tij, ministri Buja tha se "ky seminari i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare është padyshim emblemë jo vetëm e fakultetit dhe universitetit, por edhe e gjithë shqiptarisë. Përveçqë ky seminar ka prodhuar njohuri për miqtë tanë nga bota për traditën, kulturën, etnosin, historinë shqiptare, ka krijuar edhe ambasadorët e Kosovës në botë për të vërtetën, për shqiptarët dhe realitetin e Kosovës", tha në fjalën e tij ministri kosovar Buja.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Sedat Kuçi, tha se “seminari në dekada të tëra ka afirmuar vlerat tona gjuhësore, letrare e kulturore në mbarë botën, por edhe ka marrë nga të tjerët pjesëmarrës, studiues të gjuhës shqipe që vijnë nga shtetet më të zhvilluara të botës".
Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, tha se “tema qendrore do të jetë në fushën e gjuhësisë "Kontributi i studiuesve të huaj për shqipen në pjesën e dytë të shekullit 20-të". Në fushën e letërsisë do të diskutojmë për letërsinë dhe identitetin. Ndërsa, në pjesën tjetër të seminarit do të vazhdohet me kurset e gjuhës në tre nivele, referime shkencore dhe ligjërata".
Gjatë dy javëve të Seminarit do të ketë edhe aktivitete të tjera, përfshirë organizimin e vizitave nëpër disa qytete e rajone të Kosovës.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974, që ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve e të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e një sesione, deri te ky që nisi sot. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas luftës në Kosovë, nga viti 2000, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u rikthye për të zhvilluar veprimtarinë aty ku e filloi dhe ku u themelua, në Fakultetin Filozofik - tani Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.