2013-08-19 15:43:34

Armëpushim në Egjipt, por me ushtrinë në gatishmëri. Akoma manifestime


Në Egjipt mbretëron armëpushimi, por çdo shesh kryesor ruhet nga ushtria e policia, që qëndron në gatishmëri për të shuar manifestimet e Vëllezërve Myslimanë. Sot, u sulmuan dy autobuza me policë, duke shkaktuar 25 viktima. Po në Sinai, u vra një gjeneral. Në nivelin diplomatik, në Bruksel, u mblodhën ambasadorët e Bashkimit Evropian, të cilët përgatitën takimin e rangut të ministrave të jashtëm, që do të mbahet të mërkurën. SHBA-të po mendojnë t’i ndërpresin ndihmat ushtarake qeverisë së Kajros.
Që dje, kreu i Forcave të Armatosura, Fattah al-Sisi, deklaroi se në Egjipt ka vend për të gjithë, duke e ulur kështu tonin e debatit politik, pasi kryeministri foli për shpërndarjen e partisë së Vëllezërve Myslimanë. Gjithashtu, ai i paralajmëroi palët të mos përdorin fenë si pretekst për konflikte të reja. Ndërkaq, Patriku katolik i Aleksandrisë, Ibrahim Isaak, në një komunikatë për shtyp, deklaron se Kisha mbështet institucionet e vendit, në veçanti, policinë e ushtrinë, duke kundërshtuar çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Egjiptit. Patriku, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Asamblesë së patrikëve dhe ipeshkvijve katolikë të vendit, shkruan se Kisha ndjek me vuajtje e shpresë ngjarjet e terrorizmit, vrasjet, vënien e zjarrit në kisha, shkolla e institucione publike dhe përpiqet të komunikojë me organizata të ndryshme për të kërkuar të vërtetën.
Duke komentuar sulmet në 58 kisha të krishtera, Patriku dënon aktet dhe falënderon të gjithë ata myslimanë, që u kanë qëndruar afër të krishterëve dhe i kanë mbrojtur kishat e institucionet e tyre. “Ç’po ndodh sot në Egjipt – deklaron Patriku i Aleksandrisë – nuk është një konflikt politik ndërmjet fraksioneve të ndryshme, por luftë e të gjithë egjiptianëve kundër terrorizmit”.
Në manifestimet e djeshme, 38 islamikë të arrestuar humbën jetën të asfiksuar, gjatë sulmit të miqve të tyre kundër tankut, me të cilin po dërgoheshin në burg. Në zonën e Minias, u shkatërrua një qendër jezuitësh, dhjetë kisha, ndër të cilat, bazilika e lashtë e Amir Tadros, si edhe u sulmua muzeu arkeologjik Malaui.
Nga ana e tij, ish-zv.presidenti egjiptian Mohamed El Baradei, i cili dha dorëheqjen pas fillimit të ndeshjeve me armë, është larguar drejt Vjenës. Reagojnë edhe intelektualë të tjerë, si shkrimtari i njohur turk, Orhan Pamuk, çmim Nobel për letërsinë. Sipas tij, Perëndimi, e jo vetëm qeveritë, por edhe opinioni publik, s’do t’ia dijë për Egjiptin. Dy ditë para puçit ushtarak, gjenerali Fattah al-Sisi e pati paralajmëruar atë, por Perëndimi ktheu sytë nga ana tjetër. “A është Perëndimi në gjendje të tolerojë një demokraci, zgjedhësit e së cilës shprehen në favor të një partie jo pro-perëndimore?” pyet në fund Orhan Pamuk, duke vënë në diskutim vlerat amerikane dhe evropiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.