2013-08-16 19:16:01

Veprimtaria javore e Papës


Të mërkurën, Papa Françesku priti në audiencë futbollistët e kombëtareve të Italisë e të Argjentinës, të cilët, po atë ditë luajtën një ndeshje miqësore futbolli për nder të Atit të Shenjtë, në Stadiumin Olimpik të Romës. “Të jeni njerëz, në sport e në jetë. Njerëz me humanitet”, u tha Papa Bergolio në Sallën Klementine në Vatikan, ku i këshilloi ta konsiderojnë sportin si dhuratë të Zotit e të mos e humbin shpirtin e diletantit, apo të amatorit, që i jep miqësinë, harmoninë dhe humanitetin çdo lloj sporti, që tashmë, është kthyer në biznes. Ati i Shenjtë e pa në televizor ndeshjen, që përfundoi 2-1 në favor të Argjentinës.

Në një letër, drejtuar të enjten e kaluar ipeshkvit të Konsepsionit në Argjentinë, me rastin e 50 vjetorit të dioqezës, Papa Françesku u kërkon të krishterëve të mos qëndrojnë të qetë, por të ecin përpara drejt takimit me Jezusin, të bëhen dishepuj të Krishtit e t’ia kumtojnë atë gjithë botës. “Ju e dini – shkruan Papa Françesku – se kam frikë nga të krishterët e qetë. Përfundojnë si uji i ndenjur”. Takimi me Jezusin, vazhdon Papa, e mahnitja, që rrjedh prej tij, na nxit ta kërkojmë me lutje, ose në leximin e Ungjillit. Hapi i mëpasëm s’mund të jetë tjetër, veçse kumtimi i Krishtit.

Jeta njerëzore duhet mbrojtur, që nga zënia: këtë shkruan Papa Françesku në një Mesazh, me rastin e Javës së Familjes, që përfundoi sot në Brazil. Kjo Javë u organizua nga Konferenca Ipeshkvnore vendase e pati për temë: “Transmetimi dhe edukimi i fesë në familje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.