2013-08-16 13:01:33

Tetë vjet më parë ndërronte jetë Vëllai Rozhè Shutc, themelues i Bashkësisë së Tezesë


Tetë vjet më parë, një ngjarje e papritur, tejet e hidhur, tronditi thellë Bashkësinë Ekumenike të Tezesë. Themeluesi i saj, Vëllai Rozhè, u mbyt nga një grua me shqetësime psikike, gjatë lutjes së mbrëmjes. U la trashëgim ndjekësve, dëshminë e fesë së krishterë dhe dialogun ekumenik, që vijojnë të jenë mësime të çmuara për brezni të tëra të rinjsh.
Bashkësia u themelua në vitin 1940 e u mblodh për herë të parë në vitin 1978, të nesërmen e fillimit të papnisë së Gjon Palit II. Së pari të rinjtë u mblodhën në Zvicër, në qytetin ku u themelua Bashkësia e Tezesë, për t’u zhvendosur në Borgonjën franceze. Ndërsa më pas, të rinjtë vijuan të mblidhen në të katër anët e botës, duke organizuar mbrëmjet e lutjes për paqen dhe Festën e popujve. Për t’u rikthyer, ngarkuar me mbresa të paharrueshme e me detyra të reja, në vendet e tyre, duke u impenjuar të përhapin frymën e pajtimit, në pritje të një takimi të ri.
Bashkësia e Tezesë hyri në lidhje me rininë shqiptare menjëherë pas rënies së komunizmit. Në takimet e të rinjve të Tezesë tashmë prej vitesh marrin pjesë edhe të rinj nga Shqipëria. Në vitin 1991 ishin pikërisht atje, ku rreh zemra e bashkësisë ekumenike: në Tezè. Ishte gusht. Shqipëria kalonte një verë me temperatura shumë të larta, që do të çonin në djegien e diktaturës. Pastaj, në takimin ndërkombëtar, në Vjenë. Të rinjtë shqiptarë çanin të parët barrierat e ndaluara, kalonin pa frikë pushkatimi kufirin e atdheut, drejt Evropës. Me vizë, natyrisht. E tani, pa vizë... Grupe të rinjsh nga Shqipëria marrin pjesë rregullisht në takimet ndërkombëtare të organizuara çdo vit të ri nga bashkësia në vende të ndryshme ku, duke qenë mysafirë të vendasve, çojnë frymën e lutjes së Tezesë.
Në Shqipëri nuk u krijuan grupe, por u bënë përpjekje, që vijojnë, për të përfshirë frymën e thellë ekumenike të lutjes së bashkësisë, themeluar nga Vëllau Rozhè, në Meshën Shenjte, në këngët, që e shoqërojnë e në veprimtari të tjera kishtare. Përvoja e vërtetë e rinisë së Tezesë përmblidhet në lajtmotivin: “Lutu e puno”, që ndjehet më fuqimisht atje ku u themelua bashkësia, në Tezè të Francës. Tanimë fryma ekumenike e Tezesë është përhapur në të gjitha dioqezat e Shqipërisë në format karakteristike për bashkësinë, që nuk krijon grupe të veçanta, por shkrihet në gjirin e kishave vendase.







All the contents on this site are copyrighted ©.