2013-08-16 13:02:13

SHBA: Asambleja e Lcwr. Delegati i Vatikanit: “Jam këtu si vëlla e mik”.


Përfundoi sot, në Orlando të Floridës, pas pesë ditësh të ngarkuara me diskutime rreth temës: “Udhëheqja në ndryshim: Hir, Qëndrueshmëri e Liri”, Asambleja vjetore e Konferencës të Eproreve Rregulltare të SHBA”(Lcwr), ku morën pjesë 825 rregulltare. Të ndryshëm e të rëndësishëm argumentet në rend të ditës. Ndërmjet tyre, evoluimi i vazhdueshëm i rolit të rregulltareve amerikane, në një shoqëri që ndryshon rrufeshëm; miratimi i një rezolute mbi qëndrimin kundër dhunës; çështje që kanë të bëjnë me valët e emigrantëve - ndërsa në Kongres vijon diskutimi mbi reformën e emigracionit - zgjedhja e kryetares dhe e sekretares së re të shoqatës, që përfaqëson sot rreth 80% të më se 57 mijë rregulltareve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por mbledhja ishte, sidomos, rast i përshtatshëm për t’u thelluar në dokumentin “Vlerësimi doktrinor”, botuar në prill 2012 nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, për veprimtarinë e Lcwr e, prej këndej, për reformimin e organizimit të Konferencës e për sigurimin e bazës së shëndoshë doktrinore të veprimtarisë së saj në fenë e Kishës, në perspektivë të bashkimit kishtar.
Dje, pas Meshës së solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, rregulltaret u takuan me kryeipeshkvin, imzot Peter Sartain, delegat apostolik, i ngarkuar nga dikasteri i Vatikanit për të ndjekur nga afër këtë riorganizim. Prelati e mori fjalën të martën e kaluar, në hapje të punimeve, së bashku me nuncin apostolik në Uashington, imzot Karlo Maria Viganò. Takimi, i pari me plenumin e Lcwr, pas një sërë bisedimesh të rezervuara, zhvilluar këto muaj me kryesinë, u mbajt me porta të mbyllura e përmbajtja e tij nuk është bërë ende e njohur.
Në fjalën, që mbajti të martën e kaluar, kryeipeshkvi i Seattle nënvizoi se u bisedua në një atmosferë konstruktive bashkëpunimi, pas tensioneve të mëparshme.“Jam këtu, i pranishëm, si përfaqësues i Papës Françesku, i ngarkuar për këtë mision, por njëkohësisht, jam këtu edhe si vëllai e miku juaj, shtoi prelati.
Sot pasdite, diskutimi përfundimtar i ish-kryetares, motër Florence Deacon, që tashmë i lëshoi vendin kryetares së re, Carol Zinn, rregulltare e Kongregatës së Motrave të Shën Jozefit.







All the contents on this site are copyrighted ©.