2013-08-16 13:01:54

Salezianët përkujtojnë 198-vjetorin e lindjes së Don Boskos


U kremtua sot, 198-të vjetori i lindjes së Don Gjon Boskos, themelues i Kongregatës së Salezianëve (16 gusht 1815-31 janar 1888). Me këtë rast, Rektori i Madh, don Paskual Çavez Vilanueva, kremtoi Meshën Shenjte në Sheshin e Bazilikës Don Bosko, mbi kodrën, me emrin e Shenjtit, pranë Astit të Italisë.
Po sot u kalua nga viti i dytë, në atë të tretë, të udhës së përgatitjes për dyqindvjetorin e lindjes së Shenjtit torinez, me hapjen e një viti të ri kushtuar thellimit në përshpirtërinë e tij. I nisur më 16 gusht 2011, trevjeçari i përgatitjes synon ta bëjë sa më të njohur jetën dhe veprimtarinë e shenjtit e të dëshmojë aktualitetin e apostullimit të tij për bashkësinë e sotme të besimtarëve.
Gjatë vitit të parë u ngulmua më shumë në njohjen e historisë së don Boskos e të përvojës së tij, në rrethanat e kohës së sotme.
Etapa e dytë vuri theksin mbi pedagogjinë e Shenjtit, edukator i ndriçuar, në pararojë për kohët e veta.
Ndërsa viti i fundit do të përqendrohet pikërisht mbi përshpirtërinë e Don Boskos, burim i veprimtarisë së tij baritore.
Për t’u kujtuar: gjithnjë me rastin e dyqindvjetorit të lindjes, në prill të vitit 2009, do të organizohet një shtegtim ndërkombëtar i relikeve të Shenjtit. Gjatë kësaj nisme, që do të vijojë deri më 31 janar 2014, reliket e Don Boskos do të vizitojnë të pesë kontinetet e, sidomos, kombet ku kryejnë misionin salezianët. Arkëza, e projektuar nga arkitekti Xhanpiero Xonku, realizuar në alumin, bronz e kristal, vendoset mbi një bazament në formë ure, mbajtur nga katër shtylla, mbi të cilat shënohen data, që të kujtojnë dyqndvjetorin. Në arkëz ndodhet edhe një shtatore e Don Boskos.
Do të ketë edhe veprimtari të tjera, në përkujtim të dyqindvjetorit: një kongres historik ndërkombëtar, që do të organizohet në Romë, nga 19 deri më 21 mars 2015; një takim i ipeshkvijve salezianë, në dioqezën e Torinos, më 21 deri më 25 maj, pasuar, më 6 deri më 9 gusht, nga një Kongres ndërkombëtar i bijve e bijave të Marisë Ndihmëtare, salezianeve.
Nuk do të mungojnë edhe hapësirat për të rinjtë, ‘zemra’ e pedagogjisë së Don Boskos; atyre u kushtohet takimi i Lëvizjes rinore saleziane, që do të mbahet në Torino, nga 11 deri më 15 gusht 2015. Një ditë më pas, në Kodrën Don Bosko, do të mbyllen zyrtarisht kremtimet e dyqindvjetorit.
Së fundi, një ‘app’ i ri, që krijon mundësinë për të lexuar, përmes celularit, një mijë fraza e mendime të Don Gjon Boskos, duke u nisur nga fjala-kyçe e dëshiruar. Përzgjedhja e mendimeve për t’u lexuar në celular u realizua nga Kolegji salezian “Shën Françesku i Sales”në Kordovë.








All the contents on this site are copyrighted ©.