2013-08-16 14:49:22

Pa punë, nuk ka dinjitet: mesazh i ipeshkvijve amerikanë për Ditën e Punës


“Puna është element themelor për dinjitetin e njeriut. Përmes saj mund të mbash veten, familjen e të japësh ndihmesën për zhvillimin e kombit tënd”. Kështu shkruan imzot Stefen Bler, kryetar i Komisionit për Drejtësi e Zhvillim njerëzor, pranë Konferencës ipeshkvnore të SHBA, duke cituar fjalët e Papës Françesku në audiencën e përgjithshme të 1 Majit, festë e Shën Jozefit Punëtor. Në atmosferën e Labour Day (Dita e Punës), festë kombëtare e punës, që sivjet do të kremtohet më 2 shtatorin e ardhshëm, prelati i drejtoi botës së punës një mesazh, përmes të cilit nënvizon se, për fat të keq, ky dinjitet u mohohet miliona punëtorëve, për shkak të papunësisë, të punësimit të përkohshëm, të pagave të padrejta, të shpërdorimeve të turpshme mbi kurrizin e atyre, që e fitojnë me djersë të ballit bukën e gojës e të shfrytëzimit të tyre nga njerëz të paskrupull. Ekonomia, denoncon ipeshkvi katolik, nuk po krijon numrin e nevojshëm të vendeve të punës, që punëtorët të jenë në gjendje për të mbajtur veten e familjet e tyre. Sot, në SHBA, më se 4 milionë vetë janë pa punë prej më se gjashtë muajsh, pa folur këtu për milionat, që i kanë humbur të gjitha shpresat. Për çdo vend të mundshëm pune, ka më se pesë të papunë ose gjysëm të papunë. Kjo mungesë drejtpeshimi ndërmjet kërkesës e ofertës, vëren imzot Bler, shkakton uljen e pagave dhe kontribuon për thellimin e mëtejshëm të pabarazisë e të varfërisë. Duke cituar fjalët profetike të Kushtetutës konciliare “Gaudium et Spes”, imzot Bler shpreh mendimin se nuk mund të ketë respekt reciprok ndërmjet njerëzve, në një botë ku jetojnë pranë e pranë luksi më i shfrenuar e mjerimi më absolut. Në Letër, ipeshkvi kujton edhe fjalët e enciklikës “Caritas in Veritate”, me të cilat Papa Benedikti XVI thekson se “dinjiteti i njerëzve dhe kërkesat e drejtësisë presin rrugëzgjidhje ekonomike, që nuk e thellojnë në mënyrë të tepruar e moralisht të papranueshme, hendekun ndërmjet pasurisë e varfërisë, duke e shikuar si detyrë e dorës së parë, sigurimin e punës e të mundësive të pagës për të gjithë. Prelati nënvizon, pastaj, rëndësinë e sindikatave për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, rol i njohur edhe nga Doktrina shoqërore katolike e i mbështetur nga Kisha. Në përfundim, imzot Bler kujton detyrën morale që kanë ndërmarrjet për respektimin e dinjitetit të punës si dhe përpjekjen për t’i vënë njerëzit përmbi etjen për fitime, në interes të së mirës së përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.