2013-08-16 17:01:35

Oksidentalizimi demografik i botës myslimane


Në numrin e fundit të revistës së Universitetit Katolik të Milanos “Jeta e Mendimi”(n.3, 2013), botohet një artikull i studiuesit e analistit të ndryshimeve globale, Filip Xhenkins, profesor i shkencave humaniste në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, në të cilin mbrohet teza se zhvillimi demografik i botës myslimane i bie ndesh mendimit të përhapur në Perëndim se fëmijët e myslimanëve do të islamizojnë Evropën.
Sociologu protestant anglez e shpjegon këtë në artikullin me titull “Një rënie, vërtet e papritur”, ku shkruan se një revolucion i vërtetë ka përfshirë Afrikën e Veriut e Lindjen e Mesme, por nuk është ai, që zë faqet e para të mediave të të gjithë botës e, s’ka të bëjë aspak me Pranverën arabe. Në shkujdesjen e plotë të Perëndimit, shumë shoqëri myslimane të këtyre zonave – kjo është teza e profesorit – po pësojnë një shndërrim demografik të tillë, sa t’i afrohen Evropës. Gjatë 30 vjetëve të fundit, hapat përpara, sidomos në fushën e të drejtave të grave, që u kanë dhënë atyre më shumë qëndrueshmëri e sidomos punë, kanë bërë që një familje me 7-8 fëmijë të konsiderohet e papërballueshme edhe aty, ku deri dje, kjo ishte normale. E po t’u shtohet këtyre përhapja e ideve të reja të emigrantëve, që kthehen nga Evropa me mendësi të ndryshuar, kuadri bëhet i plotë.
Kështu, shkruan Filip Xhenkins me statistika në dorë, treguesi i fertilitetit të grave në Algjeri ka rënë nga 7 në 1,75, njëlloj si në Danimarkë apo në Norvegji; në Tunizi, nga 6 në 2,03, njëlloj si në Francë; në Marok, nga 6,5 në 2,21; në Libi, nga 7,5 në 2,96. Prandaj, thekson studiuesi, nuk është Evropa që po islamizohet, por Magrebi e Lindja e Mesme, që po evropianizohen. Të të njëjtit mendim janë edhe dy specialistë të tjerë: Khaled Fuad Allam, mysliman, profesor i sociologjisë së botës islamike në Universitetin e Triestes dhe Xhuzepe Kafuli, katolik, drejtor i publikimeve të Rojtarisë Françeskane të Tokës Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.