2013-08-16 13:05:10

Në Rimini pesë ekspozitat e Takimit të “Bashkim e Çlirim”


Evropa, martirët ortodoksë rusë, marrëdhëniet ndërmjet njeriut e natyrës, shkrimtari G.K. Chesterton dhe Veli i Shenjtë i Manopelos, në qendër të punimeve të Mitingut të sivjetëm në Rimini, organizuar, si gjithnjë, nga lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”. Janë pesë ekspozita, që mund të vizitohen nga data 18 deri më 24 gusht, në qytetin bregdetar italian, duke prenotuar në internet edhe guidën, që mund t’u shpjegojë vizitorëve ç’do të shohin. Kush është i interesuar mund të konsultojë faqen e internetit “meetingrimini.org” dhe të ndjekë këshillat për të zgjedhur çastin më të përshtatshëm për të.
Por le të hyjmë së bashku, idealisht, në ekspozitat e këtij viti, kornizë e një takimi, që ka si temë “Emergjenca njeri”. “Simfoni nga Bota e re. Një Evropë e bashkuar nga Atlantiku tek Uralet” është titulli i ekspozitës së Fondacionit për Susidiaritetin, në bashkëpunim me TG1, me Fondacionin Adenauer dhe me Fondacionin De Gasperi.
“Ç’na bashkon është më e fortë se ç’na ndan”: ky qe mendimi kryesor i etërve të Evropës si Konrad Adenauer, Robert Shuman, Alçide De Gasperi, Zhan Monè, të cilët përvijuan procesin e bashkimit evropian pas Luftës II Botërore. Kjo thënie e thjeshtë në dukje shpjegon edhe pse humbën ideologjitë totalitare, që për një gjysëm shekulli ia zunë frymën njërës prej mushkërive të kontinentit. Ekspozita e bën shikuesin të reflektojë mbi gjithçka ka mbetur sot nga idetë e etërve themelues, në një fazë krize të thellë ekonomike, por edhe kulturore e politike. Pikërisht intuita e tyre fillestare ka prodhuar sot një metodë pozitive, një mendësi e një kulturë bazë politike, që i lejuan Evropës të kalojë 60 vjet në paqe e zhvillim (duke përjashtuar luftrat e Ballkanit).
Ekspozita tjetër i fton vizitorët të hyjnë në shtëpinë e shkrimtarit të madh Gilbert Keith Chesterton, duke i njohur me jetën, mendimin, veprat e eseistit të shquar anglez të shekullit XX. Përmes njërit prej personazheve më të çuditshëm të Chestertonit, që i përkthyer do të quhej Smithi i Pafajshëm, vizitori njihet me objektet, vendet, përvojën jetësore, që plazmuan vështrimin e shkrimtarit mbi botën, duke zbuluar e rizbuluar kështu ç’e bën njeriun njeri. Me ndihmën e filmave dhe të pjesëve teatrale, disa nga skenat e librave të Chestertonit do të kalojnë këndshëm para syve të vizitorit. Ekspozita quhet “Qielli në një dhomë: mirëseerdhët në shtëpinë Chesterton”.
Ekspozita e tretë ka një titull kuptimplotë: “Drita shkëlqen në errësirë. Dëshmia e Kishës ortodokse ruse në vitet e persekutimit sovjetik”. E organizuar në bashkëpunim me Universitetin Humanist Ortodoks të shën Tihonit në Moskë, kjo ekspozitë shënon herën e parë në historinë e Takimit të Riminit që Kisha ortodoke vjen të flasë personalisht për vetveten, duke dëshmuar fenë e martirëve të saj. 60 vjet vuajtje dhe persekutime, por edhe dëshmi të ndritura të besnikërisë ndaj Krishtit e Ungjillit të tij, që e bëjnë të vërtetë “pretendimin” e Birit të Hyjit, i cili na thotë: “Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime - njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara - e në botën e ardhshme Jetën e pasosur” (Mk 10,29-30).
Dialogu i lashtë ndërmjet Njeriut dhe Natyrës do të paraqitet në ekspozitën shkencore, për të cilën është kujdesur shoqata italiane EURESIS, me titull “Natyrale, Artificiale, E kultivuar”. Lloje bimësh të egra e të buta, kultivuar në shekuj nga njeriu, i cili ka vënë dorë në zhvillimin e florës botërore, duke përzgjedhur ato bimë, që i janë dashur. Përdorimi i frytshëm i ujit dhe i plehrave, shartimet e ndërhyrjet e tjera me anë të teknologjive të reja kanë bërë të kultivohet grurë, që nuk i bien kokrrat nga kallëza, apo varietete bimësh, që mbijnë vetëm pak kohë pas mbjelljes, apo ekzemplarë pemësh me trung të ulët, për të cilët njeriu mund të kujdeset më mirë.
Ka kohë, që ka dalë në dritë e ashtuquajtura Fytyrë e Shenjtë e Monopelos, fytyrë e Krishtit mbi një vel pëlhure të lehtë, të ngjashme me atë të Veronikës. Historia e Velit të Monopelos e domethënia e tij historike e fetare do të jenë në qendër të ekspozitës me titull “Fytyra e rigjetur. Tiparet e padyshimta të Krishtit”, në të cilën do të paraqitet edhe “Relatione Historica” i priftit atë Donato nga Bomba, shkruar në vitin 1648. Në të përshkruhet mbërritja e velit në krahinën italiane të Abruceve. Në ekspozitë dokumentohet dëshira e njeriut për t’ia parë fytyrën Zotit që nga Besëlidhja e Vjetër e deri tek portretet akerotipe të Krishtit e tek pasyrimi i Birit të Hyjit në arte. Pse e kërkojmë fytyrën e Zotit? Duke përvijuar këtë kërkim të ethshëm shekullor, ekspozita hedh një vështrim brenda njeriut për të gjetur se përgjigjia ndaj kësaj dëshire njerëzore është rizbulimi i fytyrës së Hyjit në popullin e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.