2013-08-16 17:49:57

Mesha e Papës Françesku në Kastel Gandolfo në festën e Zojës së Madhe. Imzot Semeraro, në mikrofonin tonë


Ditë e veçantë, ajo e së enjtes për të krishterët, jo vetëm sepse festohej Zoja e Madhe, një nga kremtimet më të rëndësishme të verës, por edhe sepse ishte dita e vetme, në të cilën Papa Françesku shkoi në rezidencën verore të papëve, në Kastel Gandolfo, për të kremtuar meshën e solemnitetit e për të thënë me të pranishmit Lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Në shesh, mes mijëra besimtarësh, Papa nuk mundi të mos kujtojë gjendjen tragjike, krijuar në Egjipt vetëm një ditë më parë, nga ndërhyrja e policisë për shpërndarjen e manifestuesve pro ish-presidentit Morsi. Horhe Mario Bergolio u lut për qindra viktimat e për familjet e tyre, duke ia besuar ata Zojës së Bekuar. E Ati i Shenjtë e tha edhe gjatë meshës: “Shën Maria është gjithnjë me ne, na ndihmon në sprovat më të vështira”. I këshilloi besimtarët të thonë Rruzaren, duke kujtuar gjithnjë se “Magnificat”, kënga me të cilën Zoja i thur lavde Zotit, është këngë shprese, këngë e Popullit të Zotit, që ecën në histori. Është kënga e shenjtorëve, por edhe e nënave, e baballarëve, e katekistëve, e të gjithëve, që bëhet edhe më e thekshme aty ku njerëzit vuajnë në kryq, si Krishti. Por, u kujtoi Papa Françesku besimtarëve, ku është Kryqi, është shpresa.
Foli edhe për rolin e gruas e për dinjitetin e saj, të cilët duhen kuptuar e promovuar nga Kisha, në 25-vjetorin e Letrës Apostolike “Mulieris dignitatem”, shkruar nga Papa i lum Gjon Pali II. Vetë Papa Bergolio e kujtoi Letrën, duke këshilluar të rimerret në dorë e të shikohet cila prej pikave të saj mund të zhvillohet më tej. Në bazën e gjithçkaje, është figura e Marisë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu rikthyer Zojës së Bekuar e festës së të Ngjiturit të saj në Qiell.
Në mikrofonin tonë, ipeshkvi i Albanos, nën jurisdiksionin e të cilit bie Kastel Gandolfo, tregon rezultatet e këtij takimi të Atit të Shenjtë me besimtarët e dioqezës e me shtegtarët e shumtë:
Papa na ndihmon të shohim “përtej”, e ky “përtej” nuk është vend ku shkojmë thjesht me forcat tona. Të Ngjiturit e Zojës në Qiell është edhe misteri i Virgjërës ngjitur në qiell, që na tregon atë “përtej”, ku na çon dashuria e Zotit. “E ngjitur në qiell” do të thotë se nuk jemi ne, që shkojmë me një kërcim drejt qiellit, por është dashuria e Atit, që na mbledh e na merr me vete.







All the contents on this site are copyrighted ©.