2013-08-16 19:16:22

Fillon edicioni i 34-t i Mitingut të Riminit. Tema e sivjetme: “Emergjenca njeri”


Nga 18 deri më 24 gusht, në Rimini të Italisë, zhvillohet Mitingu i njohur i lëvizjes kishtare “Bashkim e Çlirim”, i cili sivjet mbledh në qytetin bregdetar intelektualë, misionarë, rregulltarë e laikë katolikë nga të gjitha fushat për të diskutuar mbi temën “Emergjenca njeri”. Kuptimi i kësaj teme shpjegohet në faqen e internetit të Takimit, “meetingrimini.org”, ku shkruhet:
“Njeriu sot jeton në kushte emergjence, jo vetëm aty ku sistemet politike autoritare kërcënojnë lirinë dhe mbijetesën elementare, por edhe aty ku, megjithëse sistemi garanton liritë demokratike, është dëshira e zemrës, aspirata, që rrezikon të anestetizohet e të censurohet. Një nga të këqiat më të mëdha, që përjetojnë sot të rinjtë tanë, është humbja e dëshirave, dobësimi i hovit idealist, të kënaqurit me pak, vetëm me ç’ofron aktualisht shoqëria. Kjo emergjencë është para syve të të gjithëve. Gjithsesi, Takimi nuk synon të theksojë thjesht aspektet negative, apo të japë alarmin, por të tregojë se është e mundur që njeriu të ngrihet lart sërish e se kudo në botë, dje e sot, ekzistojnë njerëz, që kanë gjetur forcë pikërisht në shkëndijën e dëshirës së ndezur nga një takim, nga një ngjarje, nga një rrethanë. Mitingu përpiqet të dokumentojë se liria e njeriut shprehet me anë të nevojës për ta kuptuar realitetin, për ta gjykuar e për të ndërtuar në të, jo sipas skemave dhe projekteve të imponuara nga jashtë, por duke u nisur nga nevojat e aspiratat”.
Kalendari kulturor i Mitingut të Riminit është mjaft i ngjeshur. Pasi u paraqit vjet ekspozita për Shqipërinë “Athleta Cristi”, e cila akoma vazhdon të bëjë xhiron e qyteteve italiane, vizitorët do të mund të shohin sivjet ekspozita të tjera, si ajo për Evropën, ajo për martirët e Kishës ortodokse ruse, ajo për jetën e shkrimtarit të shquar anglez Çesterton dhe ekspozita shkencore për marrëdhëniet e njeriut me natyrën. Sot, përurimi i Takimit, solli në skenë një “kërkues të jashtëzakonshëm të së vërtetës” si shën Augustini i Iponës, i cili është përballur pa frikë me pyetjet, që lindin brenda shpirtit të vet, pyetje aktuale si në shekullin IV, ashtu edhe në shekullin aktual të 21-të.







All the contents on this site are copyrighted ©.