2013-08-15 12:29:33

“Të jeni të krishterë jo të qetë”: kështu, Papa Françesku, besimtarëve të dioqezës argjentinase të Konsepsionit


Kam frikë nga të krishterët e qetë, që dinë gjithçka e që përqendrohen vetëm mbi vetveten: janë disa nga shprehjet e fuqishme, që përdor Papa Françesku në një letër, drejtuar ipeshkvit të Konsepsionit në Argjentinë, me rastin e 50 vjetorit të dioqezës. Pikërisht aty, kardinali i atëhershëm Horhe Mario Bergolio pati predikuar ushtrimet shpirtërore për klerin dioqezan.
Ato ditë kujton Papa në fillim të letrës, duke përshkruar detyrat e meshtarëve, që e dëgjonin me vëmendje. E si për të vazhduar dialogun me ta, Ati i Shenjtë, siç e ka bërë zakon tashmë, zgjedh tri fjalë: “ecni, bëhuni dishepuj dhe kumtoni”.
E në vend që t’u shpjegojë ç’duan të thonë këto folje, që nxisin për veprim, u sqaron si do të ishin të krishterët, nëse nuk i bëjnë këto hapa. “Ju e dini – shkruan Papa Françesku – se kam frikë nga të krishterët e qetë. Përfundojnë si uji i ndenjur”. Pastaj shton se nuk i duron edhe ata, që kujtojnë se dinë gjithçka dhe pa e kuptuar, ia mbyllin Zotit portat e zemrës, duke u përqendruar vetëm në vetvete.
Takimi me Jezusin, vazhdon Papa, e mahnitja, që rrjedh prej tij, na nxit ta kërkojmë me lutje, ose në leximin e Ungjillit. Hapi i mëpasëm s’mund të jetë tjetër, veçse kumtimi i Krishtit. Kumtim, saktëson Ati i Shenjtë, do të thotë të bëhemi misionarë, duke ua çuar mësimet e Jezusit vëllezërve. “I krishteri – shkruan Papa Françesku – ecën, e lë veten të shndërrohet në dishepull dhe kumton”.
Në përfundim të letrës, Ati i Shenjtë ua beson Zojës besimtarët e dioqezës së Konsepsionit, që si ajo, të mos qëndrojnë të qetë, por të dalin për të kumtuar Krishtin, sepse “ia vlen të jetohet dashuria e Jezusit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.